Alonso: Mund të kishim kapur podiumin

25/08/2014 00:00

Edhe Fernando Alonso nuk mund ta fshehë zhgënjimin, pavarësisht sforcimit të madh për t’u shfaqur sërish pozitiv pas Çmimit të Madh të Belgjikës, në Spa Francorchamps.

“Sigurisht që ka pasur lëvizje përtej rregullores së lojës gjatë rivalitetit në fund të garës, shpresoj që komisarët e pistës ta vlerësojnë si duhet, por gjithsesi nuk është se ndryshon ndonjë gjë e madh kur bëhet fjalë për luftë për vendin e 6. U përpoqëm të bëjmë më të mirën. Pa penalitetin do të ishim të sigurt në podium, niseshim nga vendi i 4 dhe kishim një ritëm të mirë. Ishte thuajse i sigurt podiumi, mbi të gjitha nëse mendonim Mercedesin jashtë gare”, u shpreh spanjolli i Ferrarit.

Megjithatë, Alonso pranon se: “Kur pashë Hamiltonin të dilte jashtë kuptova që ishte shansi ynë më i mirë, por na u desh të shlyenim një penalitet, ndaj dhe humbëm podiumin. Tashmë do të synojmë të bëjmë më të mirën në Monza. Mbetem sërish pozitiv, edhe pse dihet që është vështirë të kërkojmë më shumë se kaq. E rëndësishme është që në të gjitha garat deri më tani jemi përmirësuar ndjeshëm. Shpresojmë që të gjitha pjesët e reja të makinës të japin performancën e dëshiruar”.

Ndërkaq, tepër i zhgënjyer është shfaqur Kimi Raikkonen, pavarësisht vendit të katërt në fund të garës. “U përpoqëm të ruanim vendin e tretë dhe të mbanim pas Ëilliamsin, por ata ishin më të shpejtë në pjesët e drejta të pistës dhe në tentativën e dytë Bottas më parakaloi. Më vjen keq, edhe pse vendi i 4 nuk është keq. Këtë sezon, ishte hera e parë që zhvillova një garë lineare pa pësuar probleme. Megjithatë jam këtu për të fituar gara dhe jo të kënaqem me garimin”.

Top Channel