Fitojnë Tirana dhe Kukësi

24/08/2014 00:00

Tirana dhe Kukësi e nisin me fitore sezonin e ri futbollistik në Shqipëri duke treguar që në start pretendimet që kanë, ndërkohë që Partizani i gëzohet një pike të marrë në fushën e vështirë të Laçit.

Bardheblutë e drejtuar nga Gugash Magani, me blerjet e reja në fushë, mundën 3-0 Apoloninë dhe marrin menjëherë kryesimin e Superiores falë këtij golavarazhi.

Përveç rezultatit, tifozët bardheblu në “Qemal Stafa” i janë gëzuar edhe lojës së mirë të lojtarëve të Tiranës, të cilët nuk e diskutuan për asnjë moment fitoren përballë skuadrës fierake, e cila rikthehet pas një sezoni në Superiore.

Golat për vendasit u shënuan nga Bakaj në pjesën e parë dhe Ndikumana e Hyshmerit në pjesën e dytë.

Armando Cungu dhe Shpëtim Duro e kanë nisur me barazim punën e tyre në Superiore, pasi ndeshja Laçi-Partizani përfundoi 1-1.

Kryeqytetasit kaluan të parët në avantazh me Racic, por gëzimi i tyre zgjati 8 minuta, pasi Doku barazoi shifrat.

Pavarësisht përpjekjeve të shumta të të dyja skuadrave në minutat e mbetura për t’i rrëmbyer fitoren njëra-tjetrës, portat e Vujadinovic dhe Alban Hoxhës kanë mbetur të paprekshme deri në fund.

Shqiptari nga Maqedonia, Artim Shaqiri e nisi me këmbë të mbarë dhe 3 pikë aventurën e tij te Kukësi.

Skuadra verilindore mundi në “Loro Borici” 1-2 Vllazninë, e cila gjatë muajve të verës ka hasur jo pak probleme.

Golat për kuksianët u shënuan nga Pero Pejic në pjesën e parë dhe Vilfor Hysa në të dytën, ndërsa golin e vetëm të shkodranëve e shënoi Dibra.

Top Channel