PS nuk i ndahet dorëheqjes së Bashës

22/08/2014 00:00

Partia Socialiste ka vijuar sërish akuzat ndaj kreut të Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha lidhur me ndërtimin e një pallati pranë Digës së Liqenit. Ka qenë sërish Ervin Bushati, ai që ka denoncuar këtë vendim të Bashkise duke rikërkuar dorëheqjen e Bashës.

“Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha një nga gënjeshtrat e mëdhaja që ka thënë gjatë fushatës ka qenë që nuk do të lejonte të ndërtoheshin më shumë pallate në Parkun e Tiranës. Kjo është një prej gënjeshtrave të tij. Gjithashtu Luli u ka thënë qytetarëve të Tiranës se do të ishte thjesht Kryebashkiak dhe s’do të merrej me politikë. Kjo ishte një tjetër gënjeshtër. Luli u ka thënë tiranasve se do të mbillte më shumë pemë, do të lejonte gjelbërimin dhe nuk do të jepte leje ndërtimore që do të shtonin betonizimin. Edhe kjo ishte një gënjeshtër tjetër e Lulit. Ka harruar që në gjithë këto vite nuk ka bërë asnjë punë dhe është marrë vetëm me politikë. Është marrë vetëm me lulëzimin e degëve të PD-së dhe jo me lulëzimin e qytetit të Tiranës. Le të mbajë llafin sot Lulzim Basha, si burrë, e të bëjë aktin e fundit të qytetarisë që do të ishte dorëzimi i punës në Bashkinë e Tiranës”, deklaroi Ervin Bushati, Sekretar për Çështjet Ekonomike në Partinë Socialiste.

Menjëherë pas kësaj deklarate ka reaguar dhe Bashkia e Tiranës. Në një deklaratë për mediat Bashkia e kryeqytetit shprehet se Edi Rama, njeriu që projektoi ndërtime 40 katëshe tek pishinat derdhi përsëri llumin e vrerit dhe shpifjeve ndaj Bashkisë së Tiranës, në emër të interesave të paligjshme të tij dhe sekserëve të tij.

“Projekti aktual nuk prek asnjë centimetër pronë publike. Projekti aktual nuk prek asnjë centimetër të Parkut të Liqenit, por ruan kompleksin e pishinave dhe kompleksin sportiv si dhe kthen 20 mijë metra katrorë nga pronë private në hapësira publike, në përputhje me rregullat e planit urban të Tiranës. Këtu qëndron edhe arsyeja e mllefit të Edi Ramës dhe sekserëve pazarprishur që qëndrojnë pas tij”,  mbyllet reagimi i Bashkisë së Tiranës.

Top Channel