Juve, Pogba rinovon deri në 2019-n

22/08/2014 00:00

Kanë mjaftuar fjalët e Mino Raiolas për “L’Equipe” për të zgjuar Juventusin, edhe pse nuk ishin të nevojshme, për t’i dhënë një shtysë tratativave për rinovimin e Paul Pogba.

Beppe Marotta, i cili ishte shprehur plot besim mbi këtë çështje, duket se ka arritur akordin me lojtarin, të cilit i është ofruar një zgjatje kontrate deri në fund të 2019-s, si dhe një pagë në lartësinë e një superlojtari për bardhezinjtë, mes 4-5 milionë eurove në sezon.

Pogba renditet tashmë si Pirlo, Buffon dhe Vidal, si ata që vlejnë më shumë, apo senatorët e Juventusit. Kjo duket se ka qenë arma bindëse e Marottas për francezin, që të qëndronte me bardhezinjtë pavarësisht interesimit të thuajse gjysmës së Europës.

Tashmë mbetet vetëm që gjithçka e thënë të hidhet në letër, duke bërë që këto ditë të fundit të merkatos të mos e dëgjojnë këtë emër të përmendet, ndërsa Raiola të dalë pa ndonjë shtrëngim duarsh.

Top Channel