Rama pret delegacionin e Bundestagut

21/08/2014 00:00

Kryeministri Edi Rama priti të enjten në një takim delegacionin e Bundestagut, të kryesuar nga nënkryetari i tij, Johannes Singhammer.

Në fjalën e tij kryeministri Rama theksoi se, sot jetojmë në një kohë të re, kur 100 vjet pas Luftës së Parë Botërore, ky është viti i parë pa konflikte në rajon, çka kërkon edhe një moment të ri në bashkëpunimin rajonal dhe përpjekjet e përbashkëta për prosperitetin e rajonit si të tërë.

Në këtë këndvështrim, kryeministri e cilësoi frymëzuese iniciativën e kancelares gjermane Angela Merkel për takimin mbi Ballkanin në Berlin. “E rëndësishme është që rajoni të mos e humbasë ëndrrën europiane dhe Gjermania, e cila gëzon respektin e të gjitha vendeve të rajonit, ka një rol të posaçëm”, u shpreh Rama.

Në takim u nënvizua gjithashtu vullneti i dyanshëm për rritjen e bashkëpunimit ekonomik në fusha me interes të përbashkët. Një ditë më parë, delegacioni i Parlamentit gjerman u prit në një takim nga kryetari i Kuvendit, Ilir Meta dhe drejtuesit më të lartë të Partisë Demokratike.

Ndërsa në ceremoninë përkujtimore të vizitës së politikanit gjerman Franz Josep Strauss 30-vjet më parë në Tiranë u vu theksi tek rëndësia e marrëdhënieve Shqipëri-Gjermani dhe mundësia që i ofrohet vendit tonë në samitin e Ballkanit që do të zhvillohet në Berlin.

Top Channel