Partitë përballen në Kushtetuese

21/08/2014 00:00

Përfaqësuesit e subjekteve politike në Kosovë kanë paraqitur të enjten para Gjykatës Kushtetuese argumentet e tyre rreth kushtetueshmërisë së vendimit të Kuvendit për zgjedhjen e Isa Mustafës në postin e kryeparlamentarit.

Në seancën dëgjimore, që ka zgjatur rreth 2 orë, përfaqësuesit e subjekteve politike kanë paraqitur për nga dhjetë minuta secili, sa u kishte caktuar gjykata, pretendimet e tyre pro dhe kundër për ecurinë e punimeve të Kuvendit në seancën konstituitive.

Pasi ka numëruar shkeljet e pretenduara në këtë seancë, deputeti i PDK-së Arsim Bajrami ka kërkuar nga gjyqtarët që të shpallin një vendim të drejtë e të qartë.

“Ne kërkojmë që Gjykata Kushtetuese ta shpallë jokushtetues vendimin për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, si për nga proçedurat e ndjekura, ashtu edhe për nga përmbajtja, për faktin se ky vendim është bazuar në presupozimin e gabuar për grupin më të madh parlamentar. Dhe konstatimi ynë i fundit është që gjykata të konstatojë se e drejta e PDK-së për të nominuar kryetarin e Kuvendit është një e drejtë e patjetërsueshme, ekskluzive dhe që nuk mund të bartet tek asnjë grup tjetër parlamentar”, deklaroi Bajrami.

Në anën tjetër, përfaqësuesit e subjekteve të tjera parlamentare parqitën kundër argumentet e tyre, ndërsa thanë se kërkesa e deputetëve të PDK-së nuk ka të bëjë fare me jokushtetueshmërinë, ndaj kërkuan nga gjykata që ta hedhë atë poshtë si të papranueshme.

“Në rastin konkret nuk kemi të bëjmë me kushtetutshmëri, por kemi të bëjmë vetëm me çështje që janë të parashikuara në rregulloren e Kuvendit të Kosovës. Kërkojmë nga kjo gjykatë së pari që të vendosë se kërkesa e deputetëve të PDK-së është e papranueshme, sepse nuk është në përputhje me Kushtetutën. Dhe së dyti, në rast se kjo gjykatë vendos ta shpallë kërkesën të papranueshme, kërkojmë të vendosë se zgjedhja e kryetarit të Kuvendit ishte në përputhje me Kushtetutën”, deklaroi deputetja e LDK, Vjosa Osmani.

“Ne si subjekt politik i propozojmë Gjykatës Kushtetuese që pas shqyrtimit të qëndrimeve dhe argumenteve në këtë seancë dëgjimore, ta ndërpresë masën e përkohshme të sigurisë të caktuar me vendim numër VMP68914. Dhe kërkesën K0011914 të 30 deputetëve të legjislaturës së pestë ta konsiderojë si të papranueshme për shkak të mos përmbushjes së kushteve ligjore të përcaktuara me nenin 38, 39 dhe 42 të ligjit për Gjykatën Kushtetuese”, tha më pas Albulena Haxhiu, nga Vetëvendosje.

Edhe pse ndodheshin në seancën dëgjimore, përfaqësuesit e 10 subjekteve të tjera parlamentare nga komunitetet pakicë nuk thanë asnjë fjalë. Pas deklaratave prej 10 minutash që kishin në dispozicion, përfaqësuesit e partive shfrytëzuan edhe replikat, ndërsa materialet e shumta që kishin marrë me vete, për shkak të kohës së kufizuar i depozituan me shkrim në sekretarinë e gjykatës. Në fund të seancës, kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani ka thënë se ky institucion do ta shpallë vendimin pas shqyrtimit të materialeve.

Top Channel