Në plazhin e Gjirit të Lalzit funksionon një kamp vullnetarësh të cilët kujdesen për sigurinë e pushuesve. Kreu i Agjencisë së Menaxhimit të Bregdetit Auron Tare, në një takim me vullnetarët deklaroi se aktualisht kapacitetet e monitorimit për të gjithë vijën bregdetare janë të pamjaftueshme, ndaj kërkohet një model i ri menaxhimi.

“Ne me këtë model kemi punuar dhe ai rezulton jofunksional. Modelet që kanë vendet e tjera, fqinjët tanë, funksionojnë. Për shembull Mali i Zi. Agjencia që menaxhon bregdetin, të gjitha të ardhurat që mbledh e ka me ligj që duhet t’ia kthejë bregdetit. Prandaj Mali i Zi ka 68 plazhe të kriterit më të lartë evropian, ndërsa ne s’kemi asnjë”, deklaroi Tare.

Por për kryetarin e komunës së Ishmit, që ka në territorin e vet edhe Gjirin e Lalzit, ofrimi i shërbimeve cilësore për pushuesit kërkon investime të rëndësishme edhe në infrastrukturë, që i kalojnë fuqitë e buxhetit lokal.

Për funksionimin e 9 kampingjeve të ngritura, nga 10 të planifikuara, ndihmë kanë dhënë edhe Forcat e Armatosura, jo vetëm nëpërmjet bazës materiale, por edhe në funksion të sigurisë.

“Absolutisht që ne jemi në funksionin tonë. FA kanë disa detyra, kanë një mision të gjerë, operacione kombëtare e ndërkombëtare, si dhe stërvitje për të qenë sa më të përgatitur për emergjencat civile”, deklaroi oficeri Dilaver Hoxha.

Ekipet e emergjencave civile kanë regjistruar afro 600 vizita dhe ndërhyrje në qendrat e ngritura pranë plazhit të Shkëmbit të Kavajës dhe Durrësit këtë sezon. Përgjatë këtij sezoni turistik, 9 pushues kanë humbur jetën, ndërsa disa dhjetëra të tjerë kanë arritur të shpëtojnë gjatë incidenteve në det.

Top Channel