Balotelli, marrëveshje Milan-Liverpul

21/08/2014 00:00

Milani dhe Liverpuli kanë arritur marrëveshjen mbi kalimin e Mario Balotelli-t tek skuadra angleze.

Njoftimi është dhënë rreth orës 09:30 të paradites së të enjtes nga “Milan Channel”. Sipas marrëveshjes kuqezinjtë do të arkëtojnë 20 milion euro, ndërkohë që detajet e kontratës së Balotelli-t janë duke u diskutuar ende.

Sipas mediave italiane, Mino Raiola ndodhet në Londër për të diskutuar me drejtuesit e skuadrës së Liverpulit mbi kontratën e klientit të tij. Kërkesa e Marios është 6 milion euro paga neto. Në mesditë Balotelli la qendrën stërvitore “Milanello” ku është stërvitur këto ditë së bashku me lojtarët e tjerë të Milanit, duke deklaruar para tifozëve që nuk ka ende asgjë përfundimtare.

Sinjalet e para për heqjen dorë nga Balotelli janë lëshuar një ditë më parë nga vetë Adriano Galliani që deklaronte për Ansa-n se “nuk ka asnjë ofertë zyrtare në Liverpuli, por merkatoja përfundon me 1 shtator dhe deri atëherë të shohim”.

Liverpuli është në kërkim të dëshpëruar të zëvendësuesit të Luis Suarez, të larguar për tek Barcelona. Pas dështimit në disa objektiva të tjerë, “The Reds” kanë menduar për Balotelli-n duke shfrytëzuar edhe gatishmërinë e Milanit të ndodhur në krizë për të hequr dorë nga yjet e tij, megjithëse Balotelli shpesh është shndërruar më shumë problem se sa zgjidhje në fushë.

Nëse transferimi realizohet ky do të ishte një rikthim për SuperMarion në Premier Lige, pas aventurës së tij jo pa polemika me Manchester City.

Top Channel