F1, dritë jeshile për garën në Sochi të Rusisë

20/08/2014 00:00

Çmimi i Madh i Rusisë ka marrë miratimin për t’u zhvilluar. Lajmi njoftohet nga Charlie Whiting, drejtor i garave në FIA (Federatën Ndërkombëtare të Automobilizmit), pasi ka inspektuar pistën e ngritur në Sochi, në periferi të fshatit olimpik, ku u zhvilluan Lojrat Olimpike Dimërore 2014.

“Pista është në kushte të shkëlqyera dhe do të marrë licencën për zhvillimin e këtij aktiviteti”, ka shkruar Whiting në faqen e kësaj piste, pas vizitës së kryer së bashku me një grup inspektorësh të FIA-s. “Jemi të lumtur që shohim se pista është e ndërtuar sipas kushteve të domosdoshme”, ka vijuar më tej ai.

Britaniku, i cili është edhe drejtues kryesor i Departamentit Teknik të FIA-s, është shprehur “besimplotë” në lidhje me sigurinë e kësaj piste. Çmimi i Madh i Rusisë, i parashikuar për në fundjavën mes 10-12 Tetorit, do të duhet të jetë – sipas Whiting – “një garë spektakolare”, falë garimit të shpejtë që pilotët pëlqejnë aq shumë.

Sipas organizatorëve, kur sapo kemi lënë mesin e muajit Gusht, rreth 60% e biletave janë shitur tashmë.

Top Channel