Meta pret kryeparlamentarin japonez

19/08/2014 00:00

Kryetari i Kuvendit Ilir Meta priti në një takim delegacionin japonez të udhëhequr nga kreu i Dhomës së Përfaqësuesve të parlamentit japonez, Bunmei Ibuki.

Në konferencën e përbashkët për shtyp pas takimit kreu i Kuvendit, Ilir Meta vlerësoi ndihmën dhe mbështetjen që i ka dhënë Japonia në këto 23 vite tranzicion vendit tonë. Ai tha se vizita e kreut të Dhomës së Përfaqësuesve, Bunmei IBuki tregon rëndësinë e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe tha se Shqipëria mirëpret rritjen e investimeve japoneze në Shqipëri dhe përmes Shqipërisë në gjithë rajonin.

“Mirëpresim rritje të investimeve japoneze në vendin tonë dhe përmes Shqipërisë në gjithë rajonin. Falenderoj për mbështetjen që Japonia ka dhënë për Kosovën dhe për stabilitetin në rajonin tonë. E falenderoj për angazhimin për të përçuar mesazhin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë në rajonin tonë. Kemi krijuar grupin e miqësisë me Japoninë”, deklaroi Meta.

Nga ana e tij, përfaqësuesi i lartë japonez vlerësoi takimin si mjaft të frytshëm në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Top Channel