Champions, Napoli dhe Arsenali nuk arrijnë të fitojnë

19/08/2014 00:00

Champions League është rikthyer mbrëmjen e së martës me 5 ndeshjet e play-off për një vend në fazën e grupeve, ku pa dyshim më e forta ishte ajo e luajtur në “San Paolo” të Napolit, mes vendasve dhe spanjollëve të Athletic Bilbao.

Pavarësisht dëshirës dhe grintës së treguar gjatë gjithë 90 minutave italianët nuk kanë arritur të sigurojnë një fitore, duke e mbyllur ndeshjen në barazim 1-1.

Të parët që kaluan në avantazh ishin spanjollët e Bilbaos, të cilët arritën të shënonin një gol mjaft të rëndësishëm në minutën e 41-t të pjesës së parë.

Në 45 minutat e dyta, Napoli ishte më kërkues. Trajneri Benitez hodhi në fushën e lojës edhe belgun Dries Mertens, i cili i dha një ritëm tjetër lojës, me shpejtësinë dhe teknikën e tij.

Vendasit arritën të barazonin shifrat me sulmuesin kryesor të tyre, Hiaguain, në minutën e 68-të. Deri në fund të takimit, të besuarit e Benitez kërkuan me ngulm golin e fitore, por nuk mundën të shënonin, pavarësisht rasteve, të cilat nuk munguan.

Tashmë për italianët bëhet e vështirë kalimi për në fazën e grupeve, duke pasur parasysh se kundërshtari është mjaft i rrezikshëm në fushën e tij, madje ka shënuar edhe në fushën kundërshtare. Napolit i duhet patjetër një fitore ose një barazim me gola për të vazhduar për më tej.

Në Turqi, Beshiktashi priti londinezët e Arsenalit, edhe ky çift dhuroi një 90 minutësh mjaft interesant edhe pse u mbyll në barazim 0-0.

Vendasit zhvilluan një ndeshje mjaft të mirë, duke e mbajtur nën presion gjatë gjithë kohës kundërshtarin, por pa mundur të shënonin. Venger kishte zgjedhur të qëndronte në pritje dhe ta godiste kundërshtarin me kundërsulm, por nuk ia doli.

Lojtari i Arsenalit Aaron Ramsey u ndëshkua me karton të kuq në minutën e 80 të ndeshjen. Edhe këtu, po ashtu si në sfidën mes Napolit dhe Bilbaos, mbetet gjithçka e hapur për ndeshjen e kthimit. Kujtojmë që në 18 vitet që Venger ka drejtuar londinezët ka arritur plot 17 herë fazën e grupeve të Champions.

Hap të rëndësishëm për kalimin e kësaj faze kanë hedhur gjermanët e Leverkusen, të cilët arritën të fitonin 2-3 ndaj FC Kobenhavn, në Danimarkë.

Në fushën e tyre, arritën të fitonin edhe Salzburg ndaj Malmo, 2-1 dhe Steaua e Bukureshtit 1-0 ndaj Ludogorets.

Top Channel