Barça, prezantohet Suarez: Një ëndërr

19/08/2014 00:00

Pas debutimit në “Camp Nou” me fanelën blaugrana të Barcelonës, për Luis Suarez erdhi edhe momenti i prezantimit.

“Të vija këtu, te Barça, ka qenë ëndërr që prej fëmijërisë sime, – shprehet uruguajani. – Por ishte një hipotezë e karrierës sime, që dukej shumë larg realizimit. Edhe pse më kërkonin klube të tjera, besoj se nuk kam më dyshime për blaugranat, tashmë që u prezantova”. Sa i përket skualifikimit për kafshimin ndaj Chiellinit në Botëror: “Isha i stresuar dhe në depresion për shkak të situatës ku ndodheshim, por e kam pranuar realitetin”.

Veprimi i “vampirit” gjatë Botërorit brazilian do ta detyrojë atë të qëndrojë jashtë fushave të blerta deri më 26 Tetor. “Nuk dua të harroj se çfarë ka ndodhur, madje jam konsultuar edhe me ekspertë, por preferoj të jetoj të tanishmen, – ka theksuar Suarez. – Kur isha me gruan dhe fëmijët e mi kuptova se duhej të pranoja ndëshkimin, ndaj dhe i kërkova falje Chiellinit dhe gjithë tifozëve. Premtoj që nuk do të ndodhë më. Tashmë që u riktheva të stërvitem me kolegët e mi, mendoj se koha do të kalojë më shpejt. Do të punoj shumë për të qenë i gatshëm. Për Luis Enriquen mund të luaj në çdo lloj pozicioni të mundshëm në sulm”.

Në fund, deklaratën e parë si lojtar i Barçës, sulmuesi uruguajan e mbyll me një batutë: “Jam një yll? Jo, yjet janë në qiell. Do të mundohem thjesht të fitoj ndonjë titull me Barcelonën”.

Top Channel