Qeveria, padi universiteteve private

18/08/2014 00:00

Ministria e Arsimit do të publikojë raportin e plotë të kontrollit të Inspektoriatit të Arsimit të Lartë, për të gjitha institutet e arsimit që veprojnë në vend.

Sekretari i përgjithshëm në Ministrinë e Arsimit, Plarent Ndreca e ka hapur siparin me institutin “Vitrina”, ku sipas tij janë gjetur 27 shkleje ligjore nga 37 kritere që janë në total.

Ndaj drejtuesve të këtij instituti po përgatitet një kallëzim penal në prokurori, ndërkohë që do të kërkohet inspektim nga Drejtoria e Tatim Taksave dhe inspektoriati i punës, pasi janë konstatuar një sërë shkeljesh ligjore.

“Instituti “Vitrina” ka ushtruar veprimtari për të cilën nuk ka pasur leje nga qeveria. Ky është konstatimi i veprës penale dhe materialet do të çohen në prokurori, e cila do zbulojë se si ka funksionuar ky proces”, deklaron Ndreca.

Ky institut, i cili vepron në një godinë pa leje ndërtimi dhe shfrytëzimi, dhe me një bilanc financiar negativ, ndër vite ka ofruar diploma për programe të paliçencuara nga Minstria e Arsimit.

“Me përgjegjësinë që na takon, mbrojtjen e interesave të tyre sipas specifikës së çdo studenti. Instituti “Vitrina” e ka nisur aktivitetin pa u liçencuar nga qeveria, dy vjet para lejes që duhet të merrte nga Ministria e Arsimit”, nënvizon Ndreca.

Ministria e Arsimit garanton se do të jetë palë me studentët, por pa shkelur ligjin. Çka vë në pikëpyetje të gjitha diplomat e studentëve të cilët i kanë marrë në një kohë që programet ku ata kanë studiuar nuk janë njohur nga Ministria e Arsimit.

Top Channel