Protestë për dëmshpërblimin e tokës

18/08/2014 00:00

Dëmshpërblimi për tokat që do të kalojë by pass-i i Fierit ka ngritur në protestë dhjetëra banorë të fshatit Havaleas, të komunës Dërmenas në rrethin e Fierit.

Banorët kërkojnë pagesën me vlerë reale të tokës që përfshin projekti. Ata thonë se edhe vlerësimi për sipërfaqen e tokës së çdo familjeje nuk është i drejtë.

“Prostestojmë se na kanë kapur tokën. Në gazetë, kur doli atëherë, mua më kapte 3.300 metro, sot më kap 7 mijë metro. Po s’u hodhën këto, mua ajo tokë më ikën dëm, prandaj nuk do të luaj që këtu pa na u matur tokat”, thotë një prej tyre.

“Çmimi është më i ulët nga ai që kanë marrë. Unë kam marrë dy dynym në vend të 5 dynymëve që kam tek këneta. Unë jam fshatar dhe bazohem tek toka. Pa tokë me çfarë do t’i ushqej fëmijët?”, thotë një tjetër.

Banorët thonë se nuk do të lejojnë vazhdimin e pumimeve nëqoftëse ky problem nuk do të gjejë zgjidhje. Në mbështetje të tyre është edhe kryekomunari i Dërmenasit.

“Thonë se çmimi i tokës ka rënë nga 4.200 në 1.200 lekë të vjetra. Banorët janë të shqetësuar, por ka edhe probleme të tjera që ne i kemi bërë të ditura në protestën e parë. Besoj se nga fundi i javës do gjejmë një zgjidhje të mundshme”, deklaron Viktor Fasko.

Top Channel