Manjani: Parlamenti të merret me Bankën

18/08/2014 00:00

Ylli Manjani, nënkryetar i LSI-së, në një intervistë për Top Channel deklaron se përfshirja e parlamentit është e pashmangshme pas skandalit të vjedhjes së mbi 7 miliard lekëve nga Banka e Shqipërisë.

“Në mënyrë morale Guvernatori duhet të dorëhiqej. Sigurisht ka kohë ta bëjë këtë, të dorëhiqet. Natyrisht parlamenti i Shqipërisë duhet të ndërmarrë disa veprime dhe duhet të kuptojmë se janë disa procedura të ndryshme. Dorëheqja është një akt vullneti ndërsa procedurat e monitorimit të kontrollit, verifikimit edhe eventuaslisht pse jo, shkarkimit të Guvernatorit dhe Këshillit e të gjithë funksionarëve drejtues të Bankës së Shtetit është një detyrë tjetër, është procedurë tjetër”, thotë Manjani.

Përballë kësaj vjedhje dhe problemeve të gjetura a duhet të ndryshojë ligji aktual për Bankën e Shqipërisë?

“Në qoftë se ligji i Bankës është difektoz dhe nuk arrin të krijojë një ndjesi apo mundësi për një restart jo thjesht të Bankës së Shtetit por të sigurisë financiare të shtetit, pra flasim për siguri financiare të shtetit nuk flasim për emra konkretë. Sigurisht që ligji meriton të ndryshohet”, shton nënkryetari i LSI-së.

Nëse parlamenti hyn në këtë çështje, deklaron Manjani, ai beson se ka shumë arsye më shumë se vjedhja e bankës për t’i parë me kujdes sepse kemi të bëjmë me sigurinë financiare të shtetit në tërësi.
“Ka rraporte të besueshme dhe të mjaftueshme për të provuar se edhe dividenti që Banka e Shtetit i ka derdhur shtetit shqiptarë në vite, pra gjatë viteve të fundit, ka ardhur në rënie, ndërkohë që fitimi bankave të nivelit të dytë ka qënë në rritje. E vetmja gjë që e justifikon janë shpenzimet e luksit që janë bërë në Bankën e Shtetit. Mendoj se 10 milion euro në vit Banka e Shtetit duhet t’i kursente dhe kjo ishte detyrë ekskluzive e Këshillit Mbikqyrës . Ta zëmë se Guvernatori u çmend, Këshilli Mbikqyrës e ka detyrë të kufizonte shpenzimet e luksit. E theksoj të paktën 10 milion euro vit për vit duhet të ishin kursyer”, deklaron përfaqësuesi i LSI-së.

Manjani, i cili nuk është deputet, i sugjeron të zgjedhurve të popullit të marrin nën hetim edhe transaksionet e Bankës së Shtetit në vite në lidhje me blerjen dhe shitjen e pasurive imobilare, siç ishte rasti i Hotel Dajtit pasi, thekson Manjani, janë çështje që tregojnë keqpërdorim të parasë nga Banka e Shtetit.

“Në një kohë kur e tërë bota merrte masa kursente para, Banka e Shtetit ndodhej në shpenzime luksi. Nëse hyjmë në këto proçedura duhet të hyjmë njëherë e mirë që të pastrohet kjo situatë. Nuk është e thënë të shkojmë në emra konkretë, por eventualisht mund të shkohet në emra konkret pasi kjo nuk është çështje tabuje. Në radhë të parë na intereson të ndërtojmë një sistem financiar solid. Jam shumë dakort me çfarë tha ambasadori amerikan që duhet një sistem profesional në drejtim të financave të vëndit, por në radhë të parë profesional do të thotë të mos vidhet”, përfundon intervistën e tij për Top Channel, Ylli Manjani.

Top Channel