Heroi i heshtur Pandi Toçe

18/08/2014 00:00

Pandi Toçe u largua nga kjo jetë shumë ndryshe nga njerëzit e zakonshëm.
Ai nuk u mbyt në liqen nga depresion, nuk u dorëzua përpara sfidave të
shumta që jeta i solli, por zgjodhi të ikte nga kjo jetë si një hero i
heshtur.

Një veprim i guximshëm, që jo çdokush do mund ta bënte, veç një personi, i cili di rëndësinë e jetës dhe është i gatshëm ta sakrifikojë atë për një tjetër jetë.

Mëngjesi i 12 Gushtit nuk ishte si gjithë të tjerët për aktorin dhe inspektorin e skenës së Teatrit Kombëtar, edhe pse si çdo mëngjes Pandi Toçe shijonte shëtitjen e tij buzë liqenit Artificial. Ka qenë ora 06:30, kur një thirrje për ndihmë e shtyu 55-vjeçarin, babain e dy fëmijëve, të hidhej në ujrat e liqenit për të shpëtuar 14-vjeçarin Ervis Dervishi, por për të mos dalë më gjallë prej ujit.

“Djali i vëllait, nipi im, është futur në liqen për të larë këmbët apo për të larë duart dhe ka rrëshqitur. Në këtë moment, fëmijët kërkuan ndihmë duke qarë e duke ulërirë ‘ndihmë’. Aty po kalonte një zotëri, i cili sapo i dëgjoi fëmijët duke ulëritur dhe pa Ervisin duke u mbytur në liqen, reagoi menjëherë dhe u fut në ujë bashkë me rroba, pa kursyer asgjë. Sapo është futur në ujë i ka thënë Ervisit të hipte mbi barkun e tij dhe të hidhej në breg, duke i dhënë edhe një shtytje për ta shpëtuar. Pas këtij momenti Pandi nuk kishte reaguar më dhe ishte kthyer përmbysur në ujë. Fëmijët sërish duke qarë e ulërirë, kalon një tjetër 20-vjeçar dhe me rrobat e veta e të fëmijëve, i lidh litar së bashku me një këpucë dhe ia hedh Ervisit për ta tërhequr”, shprehet Lulzim Dervishi, xhaxhai i 14-vjeçarit.

Për familjen Dervishi, Pandi Toçe është një hero. Një hero që, sipas xhaxhait të 14-vjeçarit, shpëtoi jetën jo vetëm të Ervisit, por të katër fëmijëve.

“Ai dha jetën për të shpëtuar një njeri dhe jo vetëm kaq. Po të mos ishte Pandi, fëmijët tanë mund të mbyteshin të katërt. Ai është një hero i vërtet për këtë gjë që ka bërë. Edhe fëmijët e kuptuan dhe qanin, i binte djali shtyllës me kokë, si ndodhi kjo ngjarje. Si ka mundësi që ai shpëtoi dhe ndihmësi u mbyt aty”, tha Lulzim Dervishi.

Në familjen Toçe, zia ka mbuluar bashkëshorten dhe dy fëmijët e 55-vjeçarit. Të lodhur nga versionet e shumta të dhëna për ngjarjen, ata kërkojnë veç qetësi dhe të qëndrojnë larg syve të njerëzve. Edhe pse largimi nga kjo botë e njeriut të tyre më të shtrenjtë ishte si një hero, sërish ky fakt nuk e mbush dot boshllëkun e lënë nga ai.

Pandi Toçe nuk ishte një njeri si gjithë të tjerët. Ai u largua nga kjo botë duke dhënë jetën për një tjetër jetë, e duke lënë pas një dramë të shkruar prej tij, por të pabotuar. Një dramë, fundin e së cilës mund ta plotësojë çdokush prej nesh, duke risjellë në vëmendje veprimin e pashoq të tij.

Top Channel