Akuzat e PD për inkriminimin e Kuvendit

18/08/2014 00:00

Nga selia e PD, këtë herë ka qenë deputeti Igli Cara, ai që ka denoncuar sërish atë që opozita e quan inkriminim të Kuvendit të Shqipërisë, duke iu referuar dhunës së ushtruar, sipas tyre, nga deputeti Arben Ndoka i PS kundrejt Gent Strazimirit të PD.

Në fjalën e tij para mediave, deputeti Cara ka thënë ndër të tjera se “Edi Rama po kriminalizon çdo ditë e më shumë shtetin, parlamentin e gjithë politikën shqiptare”.

“Edi Rama prej 39 ditësh hesht, hesht përpara dhunës e sulmit banditesk të organizuar prej tij, ndaj deputetëve të opozitës. Dhuna, si mjet force e represioni politik ndaj opozitës, mbetet burim tensioni e krize politike, mbetet dhe nuk zhuritet as nga vapa e Gushtit dhe as nga pushimet e qeverisë. Prej 39 ditësh Rama hesht përballë gjithë fakteve, që dëshmojnë inkriminimin e Kuvendit të Shqipërisë, Kuvendit të një vendi ku përpjekjet e shqiptarëve në 24 vite bënë që, sot, të gëzojë statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Europian”, u shpreh deputeti Cara.

“Askush nuk mund të guxojë t’i mbyllë gojën opozitës, shqiptarët nuk do ta lejojnë, madje nuk do ta lejojnë dhe ata të 1 milion shuplakave. Shqiptarët nuk pajtohen më as me dhunën politike dhe as me skandalet, që plasin çdo ditë e gjithëkund, pas provave e fakteve për deputetë të dënuar për prostitucion a rrëmbim personi, apo zyrave të partisë që përfundojnë në skandale seksuale”, shtoi më tej Igli Cara.

Top Channel