
Skënderbeu është fituesi i Superkupës së Shqipërisë, trofe të cilin e fiton për të dytin vit radhazi. Këtë herë Kampionët e Shqipërisë kanë mundur në finale fituesit e Kupës, Flamurtarin me rezultatin 1-0.
Një ndeshje pragsezoni me një ritëm relativisht të ulët dhe me pak raste shënimi. Pjesa e parë ka qenë e vakët pasi loja u zhvillua më së shumti në mesfushë, ndërkohë si Shehi ashtu edhe Lika nuk e panë veten asnjëherë në vështirësi.
Në pjesën e dytë situatat ndryshojnë disi, Berisha i jep më tepër ritëm korçarëve përpara, ndërsa Gilberto debuton me Flamurtarin, ashtu siç e mbylli sezonin e shkuar, si një sulmues i rrezikshëm.
Megjithatë nga një rrëmujë në zonë është Nimaga, ai që shënon. Mesfushori i Skëndërbeut ka qenë ndër më të mirët në fushë, duke shkatërruar çdo aksion të vlonjatëve dhe si për të konkretizuar paraqitjen e tij në këtë finale shënon edhe golin që rezultoi goli i suksesit për Kampionët e Shqipërisë.
Flamurtari rrezikon gjithcka duke aktivizuar edhe blerjen e fundit, Vucaj, por pavarësisht ritmit që i shtoi mesfushës, asgjë më tepër. Rezultati mbeti i pandryshuar duke i dhënë këtë trofe të parë të këtij sezoni të ri, kampionëve të Skëndërbeut.
Top Channel