“E keqja s’ka parti, as vend mes nesh”

17/08/2014 00:00

I menjëhershëm ka qenë reagimi i kryeministrit Edi Rama, në lidhje me skandalin e Sarandës, ku nëpërmjet rrjetit social Twitter ai u është përgjigjur akuzave nga kreu aktual i PD, Lulzim Basha, ish-kryeministri Sali Berisha dhe deputetë të partisë nga selia blu.

Në mesazhin e tij, Rama thotë se me t’u marrë vesh si ngjarje, brenda ditës, policia ka mundur ta arrestojë personin e përfshirë në skandal, zyra e deputetit të Vlorës Koço Kokëdhima është distancuar prerazi, ndërsa PS e përjashton tërësisht.

“Për ne – thotë kryeministri – e keqja nuk ka parti dhe nuk mund të gjejë vend mes nesh. Vaj medet për PD, – shton më tej Rama, – që e shijon skandalin duke e ripërtypur në mensën e SHQUP-it, ku gatuhet gjella e një politike të vjetër e të ulët”, ka përfunduar reagimin e tij zoti Rama.

Basha: “Saranda”, medalje turpi për Ramën
Kreu i PD akuzon kryeministrin për mosdistancim nga ngjarja që tronditi shoqërinë. Nga selia vijojnë akuzat për rastin “Ndoka”

Kreu i Partisë Demokratike ka reaguar sërish gjatë kësaj të diele në lidhje me skandalin e publikuar një ditë më parë, ai i kërkimit të favoreve seksuale me një të mitur në Sarandë, në këmbim të një vendi pune.

Sipas Bashës, “medalja e turpit për këtë ngjarje dhe për sistemin që ka ngritur i shkon e gjitha Edi Ramës, pasi – siç thotë ai, – skandali ka ndodhur në zyrën e Partisë Socialiste. Në zyrën e pushtetit që funksionon nën frymën e oligarkisë”.

“Medalja e turpit i shkon e gjitha Edi Ramës, i cili vazhdon të pajtohet me ngjarjen që ka tronditur e zemëruar mbarë shoqërinë, ndërsa ai nuk gjen asnjë sekondë kohë që të distancohet”, shton më tej në postimin e tij në rrjetin social Facebook, kreu i PD.

“Po si mund të distancohet ai nga një masë e madhe abuzuesish të paskrupujt, që janë në fakt alterego e tij”, përfundon komentin e tij Basha.

PD: Rama hesht për skandalet
“Bën të paditurin për abuzimet me pushtetin, që bëjnë oligarkët e tij

Ndërsa nga selia e Partisë Demokratike, ka qenë deputeti Alban Zeneli i cili ka vijuar me denoncimin e asaj që konsiderohet heshtje e kryeministrit Rama për inkriminimin e Parlamentit, duke thënë se “Rama nuk reagon, pasi është krijuesi i sistemit që ka për model promovimin e trafikantëve dhe të të inkriminuarve”.

Veç ngjarjes që ka të bëjë me deputetin Arben Ndoka, deputeti Zeneli ka akuzuar kryeministrin edhe për “heshtjen prej dy ditësh të skandalit në Sarandë, pavarësisht se i gjithë populli ka shprehur një zemërim dhe indinjatë të thellë”, duke mbajtur të njëjtën linjë akuze me kreun e PD.

PD: Zyrat e PS, punishte abuzimi
“Skandali i Sarandës tregoi se si funksionon oligarkia Rama-Meta”

“Skandali i sekretarit të Koço Kokëdhimës, që kërkon favor seksual me një vajzë të mitur, në këmbim të një vendi pune, në zyrën e Partisë Socialiste, nxorri në pah mënyrën e rekrutimit dhe të funksionimit të oligarkisë Rama-Meta. Duhet të ofrosh parà, ose favor seksual, ose duhet të kesh precedent të fortë penal, që të zësh një vend pune. Kjo është filozofia e oligarkisë Rama-Meta-Kokëdhima”, u shpreh në një deklaratë për mediat deputetja Albina Deda.

“Eshtë e qartë se zyrat e shtetit, zyrat e Partisë Socialiste, nën këtë filozofi janë kthyer në punishte të abuzimit e perversitetit. Ky soj oligarkësh, sigurisht, nuk përfaqësojnë qindra e mijëra socialistët e ndershëm, që janë sot në radhën e parë të të zhgënjyerve për mënyrën se si po qeveris dhe si po e përdor pushtetin oligarkia Rama-Meta-Kokëdhima. Kur trafikantin e prostitucionit e bën deputet, kur baronin e drogës e bën drejtor, kur të akuzuarin për rrëmbim fëmijësh e bën kryetar të Këshillit të Qarkut, atëherë ti ke përgatitur terrenin për përbindëshat e tjerë të vendit, që të poshtërojnë qytetarët kundër çdo ligji, kodi e nderi”, deklaroi më tej deputetja Deda.

Top Channel