Conte, të martën firma për Italinë

17/08/2014 00:00

Antonio Conte u ka dhënë fund pushimeve në Kroaci dhe duket se po përgatitet për aventurën e re, si trajneri i kombëtares “axurre”. Ish-trajneri i Juventusit është rikthyer në shtëpinë e tij, në Lecce.

Mbrëmjen e së dielës, pasuesi i Prandellit në krye të Italisë, do të udhëtojë drejt Romës, por firma mbi kontratën me FIGC, Federatën italiane të Futbollit, nuk parashikohet të hidhet përpara së hënës. Të martën, me rastin e prezantimit të tij, do të nënshkruhet edhe kontrata përpara telekamerave.

Objektivi është i qartë: ta ngrejë Italinë sërish në majë, pas turpërimit në dy Botërorët e fundit, e për këtë nuk ka shumë kohë për të humbur. Kjo pasi më 4 Shtator, në Bari, do të zhvillohet ndeshja e parë miqësore kundër Holandës.

Siç ka bërë të ditur FIGC në komunikatën e saj të zyrtarizimit të Contes në krye të pankinës së Italisë, kontrata e tij do të jetë dyvjeçare, deri më 30 Korrik 2016. Të martën duke nisur nga ora 11:30 do të bëhet prezantimi në hotel “Parco dei Principi” në Romë.

Stafi i Contes? Do të marrë me vete Angelo Alession dhe Massimo Carreran, dy zëvendësit historik të tij. Përgatitës atletik do të jetë Bertelli, si te Juve, ndërsa përgatitësi i portierëve pritet të zgjidhet dhe me shumë mundësi mund të jetë Peruzzi. Në stafin e tij, sa për kuriozitet, mund të përfshihet edhe vëllai i Contes, Gianluca.

Ancelotti: Conte, njeriu i duhur. Është mirë për futbollin italian

Carlo Ancelotti ka mirëpritur zgjedhjen e FIGC për t’ia besuar Antonio Contes drejtimin e kombëtarez “axurre”. “Do të jetë mirë për futbollin italian – është shprehur tekniku i Real Madridit. – Ai ka fituar shumë, ka qenë zgjedhje e shkëlqyer. Sa më përket mua, në këtë moment të karrierës nuk kam për synim drejtimin e kombëtares”.

Sa i përket sezonit të ri të Serie A, Ancelotti shprehet: “Romës i uroj të zhvillojë një kampionat të denjë për ta fituar, është përforcuar ndjeshëm. Megjithatë këtë vit, në Serie A do të jetë e vështirë për të gjithë për të fituar, pasi shoh një kampionat më të ekuilibruar”.

Top Channel