Ura e vetme, që të çon në ishullin e Zvërnecit, e cila prej kohësh ka qenë e dëmtuar për shkaqe natyrore, tashmë është rikonstruktuar.

Me iniciativën e Ministrisë së Zhvillimit Urban dhe mbështetjen e Fondit Shqiptar të Zhvillimit e fondit të emergjencës së Qarkut Vlorë, është ndërhyrë në të gjitha segmentet e dëmtuara të urës, duke e restauruar atë plotësisht.

Dëmtimi i urës është shndërruar shpesh në burim aksidentesh për vizitorë të huaj dhe vendas, të cilët shkonin në ishullin e Zvërnecit për të vizituar një prej monumenteve më të spikatura të kulturës, që gjendet në këtë ishull, Manastirin e “Shën Mërisë”.

“Ura ishte 270 metra e gjatë dhe në mbi 80% të pjesës së saj e dëmtuar, mund të themi se ishte e pakalueshme për vizitorët, besimtarët apo dhe pushuesit, por brenda 2 ditëve kjo urë u rikonstrukturua”, tha Novruz Bajrami, arkeolog.

“Nëse ka vullnet, dëshirë dhe bashkëpunim ndërmjet institucioneve lokale e qendrore, gjithçka është e mundur”, tha Sadrit Danaj, kreu i Qarkut Vlorë.

“Historia është e gjatë dhe po të flasim për mrekullitë e Shën Marisë dhe ndikimin e saj te Perëndia ynë dhe jetën tonë të përditshme është shumë e madhe dhe doja të thoja shkurtimisht: është thjesht mrekullibërëse. Një mrekulli bëri edhe kohët e fundit”, tha At Jani Tereziu, prift.

Prej datës 14 Gusht, besimtarët ortodoksë kanë mundësinë të kremtojnë festën e “Shën Mërisë” dhe turistët të vizitojnë një prej monumenteve më të veçantë të kulturës së Qarkut të Vlorës.

Ndërkohë, ditën e sotme, që përkon dhe me lindjen e Hyjneshës Mari, me qindra besimtarë ortodoksë kanë ndezur qirinj dhe kanë bërë lutjet për familjarët dhe të dashurit e tyre.

Top Channel