Lucescu (Milanit): Douglas, më i fortë se James

15/08/2014 00:00

“Isha në Egjipt dhe po kërkoja djem të zotë teknikisht, për t’i mësuar si të rriteshin. Më pëlqenin ai dhe një tjetër. Presidenti kërkonte vetëm atë, por e binda të merrte edhe tjetrin”.

Këto janë fjalë të trajnerit të Shakhtar Donetsk, Mircea Lucescu, në të cilat me ‘ai’ i referohet Douglas Costa, anësorit të kërkuar me ngulm nga Milani, ndërsa ‘tjetri’ ishte shoku i tij Alex Teixeira. Trajneri rumun, prej kohësh në drejtimin e skuadrës ukrainase, u ka hapur gjithnjë dyert brazilianëve të zotë teknikisht.

Por, përse në Egjipt…? Ishte pikërisht ndeshja ku Brazili humbi me penallti finalen e Botërorit për grupmoshat U-20 kundër Ganës. Pikërisht në këtë vend, ku po zhvillohej ky kompeticion, Douglas Costa nuk e gaboi penalltinë e tij dhe konsiderohej si “Ronaldinho i ri”, ndërsa vetëm pak muaj më parë kishte udhëhequr kombëtaren e tij drejt fitores së kampionatit amerikano-jugor të kësaj grupmoshe.

Të dhënat kryesore të tij? Një mëngjerash, i zoti në mbajtjen e topit, në driblime dhe në asiste. Lojtar i dalë nga Gremio, ku janë fokusuar sytë e shumë agjentëve të huaj. Lucescu thotë se “në moshën 18-vjeçare talentët janë të gjithë në të njëjtin nivel, por puna e vazhdueshme deri në moshën 21-vjeçare i bën ata të përcaktohen si superlojtarë, apo lojtarë normalë, gjithnjë bazuar mbi zhvillimin e tyre. Duhet durim, duhet punë e madhe, të transformosh instiktin që kanë në kreativitet. Shumë të tjerë i fitojnë me vonesë, por nuk i menaxhojnë dot dhe i humbasin rrugës. Unë nuk e humba këtë lojtar”.

Por, në këtë moment kur kanë mbetur edhe 2 javë nga fundi i merkatos, klauzola e prishjes së kontratës së tij me Shakhtar Donetsk është plot 50 mln euro, ndërsa klubi ukrainas nuk bëhet fjalë të diskutojë ndonjë largim të tij me një ofertë nën 30 mln euro.

Lucescu konfirmon: “Nëse dikush nga të mitë do të largohet për një klub të madh, nuk mund të ndiej gjë tjetër veçse krenari. Por, dua që tratativa të bëhet në mënyrën e duhur, që skuadra e interesuar të vijë e të na e kërkojë. Shikoni James Rodriguez. Doli në pah te Monaco e më pas shpërtheu në Botëror, më pas e mori Reali. Përse të mos ndodhë e njëjta gjë edhe për Douglasin tim? Për mua ai është më i fortë se James”.

Top Channel