NBA, James rikthehet për Krishtlindje në Miami

14/08/2014 00:00

Më 28 Tetor do të ngrihet sipari i sezonit të ri 2014-15 të basketbollit, NBA. Shorti për kalendarin e sezonit të rregullt është bërë tashmë zyrtar, me të 1230 përballjet deri më 15 Prill.

Do të jenë pikërihst kampionët e San Antonio Spurs, ata që do të nisin garën e gjatë e tepër apasionuese të NBA, të cilët do të presin rivalët e Dallas Mavericks. Me këtë rast do të jepen edhe unazat e triumfuesve të drejtuar nga Greg Popovich.

LeBron James do të ridebutojë me Cavaliers më 30 Tetor, në Cleveland, teksa do të presin New York Nicks. Ndërsa finalistët e vjetshëm, Miami Heat, nga ku u largua James, do të presin Washington Wizards.

Më 28 Tetor, veç Spurs-Mavericks, do të luhen edhe Pelicans-Magic dhe Lakers-Rockets, ku spikat kjo e fundit për faktin se do të përplasen dy ish-miq, Kobe Bryant dhe Dwight Howard.

Krishtlindja – Në program për ditën e Krishtlindjes janë disa sfida, të gjitha tepër të rëndësishme, duke garantuar spektakël pa fund. Spikat mbi të gjitha sfida mes Heat dhe Cavaliers, ku LeBron James do të rikthehet për herë të parë këtë sezon në Miami. Jo më pak të rëndësishme do të jenë Spurs-Thunder, apo Knicks-Wizards, Bulls-Lakers dhe Clippers-Warriors.

Për herë të parë, skuadrat do të kenë plot 8 ditë pushim, 12-19 Shkurt, që do të shoqërohen edhe me ndeshjen “All Star” në New York, më 15 Shkurt. Për t’u veçuar janë dy ndeshje, që do të zhvillohen jashtë tokës amerikane. Minnesota-Houston, më 12 Nëntor në qytetin e Meksikos, dhe Milwaukee-New York, më 15 Janar në Londër.

Top Channel