Të zhytesh në kaos apo të vuash në demokraci

11/08/2014 00:00

Ilir Yzeiri – Ngjarjet e ditëve të fundit kanë qenë një sistem shenjash, gati një kod që është përplasur mbi ne për të na kumtuar një shenjueshmëri të veçantë, për të na kujtuar edhe njëherë se ne, shqiptarët, jemi të dënuar që, në mënyrë ciklike, të përsëritim dilemën: të zhytemi në kaos apo të vuajmë në demokraci?

Në këta njëzetë e ca vjet pas rënies së komunizmit, ne jemi ballafaquar disa herë me këtë dilemë, por sidomos në vitin 1997, vendi ynë provoi traumën më të rëndë që mund të shkaktojë kaosi i zhvillimit politik, ekonomik, social e psikologjik. Të gjithë e dimë se te ne kanë munguar institucionet demokratike, të gjithë jemi të vetëdijshëm se ne jemi një popull pa tradita parlamentare. E kam përmendur edhe në një rast tjetër, se tradita e qeverisjes së këtij vendi është kompromisi mes të fortëve dhe cubave dhe jo vendimi për të dhuruar për këtë vend diçka nga vetja.

Përkundrazi, ky vend është parë si një tokë për t’u pushtuar dhe për t’u grabitur e pasuruar. Dashurinë për këtë vend shqiptarët e kanë derdhur vetëm në këngët folklorike dhe aty është e vështirë se për cilin atdhe këndojnë shqiptarët, cilin vend duan, atë vend që në jetën reale e masakrojnë duke e vjedhur apo atë vend idilik që është streha e individualizmit meskin. Nuk është rasti të hysh thellë në histori, por mjaft të kthehesh në qeverinë e parë shqiptare të I. Qemalit dhe shumë gjëra do të ndriçoheshin ndryshe. Pasi Shqipëria doli më vete, atëherë ajo u pushtua nga shqiptarët. Esad Toptani krijoi modelin e shqiptarit që e ka atdheun plaçkë tregu. Patriotët kombëtaristë të viteve ’20 dhe Zogu ndërtuan teatrin ku shfaqej një dramë plot me ngjarje karikaturore dhe për fat të keq edhe një nga shqiptarët më të ditur, më të përkushtuar, që ka ndihmuar më shumë se cilido tjetër për ruajtjen e identitetit kristian ortodoks sidomos, pra edhe Fan Noli, kulmin e shkëlqimit të tij publicistik e ka në fjalën që ka mbajtur në Lidhjen e Kombeve të Gjenevës më 1924-n. Kjo fjalë po qarkullon edhe këto ditë në disa media online. Për fat të keq, ajo është fjala më antidemokratike e Nolit. Me një patetizëm të jashtëzakonshëm dhe me një stil të ngritur, Noli në atë fjalë hedh poshtë parlamentarizmin. Për fat të keq, njeriu që solli nga SHBA-ja modelin e demokracisë, në një çast të caktuar, kur bota e qytetëruar dhe Faik Konica, gjithashtu, i kërkonin që, pas revolucionit kryengritës të vitit 1924, të bënte zgjedhjet demokratike, ai, jo vetëm që nuk i bëri ato, por mu në Lidhjen e Kombeve, mbajti fjalimin më të bukur dhe me një patetizëm të pashoq për të anatemuar parlamentarizimin. Në fakt nga ai fjalim mbetën të shokuar të gjithë, por jo për vlerën e përmbajtjes, por për lajthitjen sublime të njeriut më të ditur të Shqipërisë. Se çfarë bënë komunistët me këtë vend kjo dihet.

Kaosi si model

PD-ja, në qeverisjen e këtyre viteve dhe simboli i saj, Sali Berisha, do të kujtohen në historinë e demokracisë shqiptare si pasues të stereotipisë dhe klishesë që krijoi në politikën shqiptare Esad Toptani. Modeli i këtij politikani shqiptar është lufta me të gjithë shqiptarët për të arritur synimet egoiste që ta kthente Shqipërinë në një çiflig personal. Për Esad Toptanin nuk ekzistonin armiqtë e Shqipërisë. Për të armiq ishin vetëm ata shqiptarë që e pengonin të realizonte synimin e tij madhor, që ishte pushtimi i Shqipërisë. Aleati më i ngushtë i tij ishte Serbia apo Mali i Zi, të cilëve ai ishte gati t’u falte gjysmën e Shqipërisë, mjafton që ai vetë të sundonte mbi gjysmën tjetër. Këtë model e përsosën Sali Berisha dhe PD-ja. Qeverisja e tyre është zgjatim i këtij modeli që arrin kulmin me tolerimin dhe nxitjen e skemave piramidale dhe shpërthimin e luftës civile dhe revolucionin e armatosur në vitin 1997.

Kaosi i dytë dhe përpjekja për të vënë rregull

Riardhja e Berishës në qeverisjen e këtij vendi në vitin 2004 nuk ishte menduar si një përsëritje e kaosit. Personalisht pata rastin ta njoh këtë njeri pak muaj para se ai të rikthehej në pushtet dhe sapo ardhja e tij u bë realitet, pata botuar te e përditshmja “Koha Jonë” një shënim të gjatë me titullin “Ndryshimi që nuk më emocionon”. Dhe në fakt ai nuk i zhgënjeu kritikët e tij. Qeverisja e tij ishte vazhdim i kaosit, por me mjete më të sofistikuara. Në vend të piramidave ai lejoi dhe nxiti një sistem universitar piramidal dhe vendosi rekordin më të zi në historinë moderne të Shqipërisë. Ashtu siç e demistifikoi paranë dhe shtëpinë në rastin e piramidave financiare, po ashtu, këtë radhë, e demistifikoi arsimin dhe dijen dhe i bëri ato një gjë pa asnjë vlerë, e bëri godinën e universitetit një sportel kioske ku shiten diploma dhe rrafshoi me këtë rast vlerat. Krimi që iu bë arsimit shqiptar nga dyshja Berisha-Pollo mund të krahasohet me fermanin otoman që ndalonte përdorimin e shqipes në hapësirën e Perandorisë turke. Duke nxitur babëzinë për pasurim të menjëhershëm dhe pa asnjë kriter, ai, në qeverisjen e kaosit të dytë, prodhoi Gërdecin. Tragjedi të tilla në këtë vend mund t’i kenë bërë vetëm otomanët, andartët grekë dhe serbët mbi shqiptarët. Për të vijuar modelin e Esad Toptanit ai realizoi marrëveshjen më të turpshme në historinë tonë, atë të shitjes së ujërave detare Greqisë. Për të parë sesa i pashoq është krimi i kaosit të Berishës, mjaft të shohim se çfarë ndjeshmërie kanë Rusia, Kina apo Japonia për territorin. Të gjithë e kujtojnë se për një ishull tepër të vogël Kina dhe Japonia rrezikuan të futeshin në një konflikt të padëgjuar. Kurse Esadi ynë nuk e ka për gjë që të bëjë biznes familjar me një serb dhe t’ua shesë Shqipërinë grekëve, vetëm e vetëm që ai të jetë pushtues mbi këtë vend. Kaosi që prodhoi qeverisja e tij solli edhe 21 janarin dhe katër të vrarë. Por kaosi i qeverisjes së tij prodhoi edhe Fullanin. Emërimi i Fullanit dhe mbrojtja stoike që po i bën Berisha është tregues i sistemit të kaosit brenda të cilit ai është zot.

Përpjekja për të vendosur rregull ose vuajtja në demokraci

Qeveria e Edi Ramës nuk është më e mira qeveri e shqiptarëve dhe Edi Rama nuk është Kryeministri më i mirë i shqiptarëve. Në demokracitë parlamentare nuk ekziston modeli i njëshit. Por ajo që bie në sy është se kjo qeveri dhe ky Kryeministër po përpiqen ta kundërshtojnë dhe ta çmontojnë këtë model të qeverisjes përmes kaosit, por ajo nuk mund të na shpëtojë përfundimisht nga kaosi. Pafuqishmëria e kësaj qeverie duket në rastin Fullani. Fullani është modeli i falimentimit të shtetit, i shkërmoqjes së të gjitha institucioneve dhe Edi Rama dhe qeveria e tij nuk na shpëton dot nga kjo katastrofë. Përse? Sepse, në radhë të parë, demokracia e kufizon pushtetin e njëshit dhe, në radhë të dytë, Edi Rama dhe qeveria e tij nuk janë modeli i qeverisë më të mirë. Një model i tillë nuk ekziston. Mirëpo, kjo qeveri dhe ky Kryeministër po përpiqen të ndalojnë kaosin. Ata vunë dorë mbi arsimin e lartë dhe po tregojnë se duan të vendosin rregull në këtë sistem dhe t’ia kthejnë dinjitetin dijes. Kjo qeveri i ktheu Shqipërisë gjithë territorin dhe e çliroi Lazaratin nga pushtuesit e PD-së që e kishin bërë atë një plantacion të paprekshëm droge. Kjo qeveri po deklarohet se kërkon të vendosë rregull dhe të shmangë kaosin. Ndaj shqiptarët është e kuptueshme që nuk mund të jenë të gjithë të kënaqur, sepse historikisht ky popull ka jetuar i ndarë midis pasionit për t’u kredhur në afshin e kaosit dhe dëshirës për të vënë pakëz rregull.

Top Channel