Kasparov, duel për kreun e Federatës së Shahut

11/08/2014 00:00

Ish-kampioni i botës në shah, Garry Kasparov, po përpiqet të marrë detyrën e kreut të kësaj loje nga një multimilioner, i cili thotë se dikur është rrëmbyer nga alienët.

Përplasja me ish-shokun e tij rus, Kirsan Ilyumzhinov, do të zhvillohet në në prag të Olimpiadës së Shahut në qytetin arktik norvegjez të Tromsos.

Ilyumzhinov është kreu i Federatës Botërore të Shahut prej 19 vitesh. Gjithsesi, kritikët e akuzojnë atë se është bërë një kukull e Kremlinit dhe ka lidhje me diktatorë brutalë.

Kasparov, 51 vjeç, është një aktivist i njohur për të drejtat e njeriut, si dhe një kundërshtar i Presidentit të Rusisë, Vladimir Putin. Ai akuzon Ilyumzhinov se po i qëndron shumë pranë Putinit dhe se presidenca e tij në Federatën Botërore të Shahut është goditur nga “abuzimet dhe favorizimet”.

“Çdo Ambasadë ruse në botë është mobilizuar të mbështesë Ilyumzhinov dhe për ta mbajtur atë në krye të pushtetit”, tha Kasparov për gazetën norvegjeze “Dagbladet”. “Nuk ka të bëjë me shahun, por është një luftë e pastër politike”.

Ilyumzhinov, 52 vjeç, pretendon se dikur është rrëmbyer nga alienët, të cilët kanë komunikuar telepatikisht me të dhe e çuan atë në një planet tjetër me një anije gjigante hapësinore.

Kritikët e tij thonë se pretendime të tilla janë nxitur nga sponsorët e tij jashtë kësaj loje. Ai akuzohet gjithashtu për shkatërrim të reputacionit të Federatës së Shahut, duke kultivuar marrëdhënie të ngushta me diktatorë si Saddam Hussein dhe Muammar Gaddafi.

Në intervistat e fundit për “New York Times”, ai tha: “Shahu është përtej politikës. Kjo është arsyeja përse Kasparov është kaq i rrëzikshëm. Ndaj është e nevojshme ta luftojmë atë. Kjo është pikërisht frika e botës së shahut: Kasparov nisi të përziejë shahun me politikën”.

FOTO GALERI
1/1

Top Channel