FIGC, Italia zgjedh pasuesin e Abetes

11/08/2014 00:00

Pas polemikave, fjalëve helmuese dhe përplasjeve verbale, ka mbërritur më në fund dita e gjykimit.

Sot, në Romë, do të mbahen zgjedhjet për presidentin e ri të Federatës italiane të Futbollit, ku do të përcaktohet pasuesi i të dorëhequrit Giancarlo Abete.

Në garë janë Carlo Tavecchio, ish-president i Ligës Amatore, si dhe Demetrio Albertini, me një të kaluar si lojtar i madh dhe prej kohësh si funksionar i lartë i FIGC.

Për momentin duket se Tavecchio gëzon mbështetjen e shumicës së klubeve, edhe pse pas gafës “raciste” i janë vënë kundër ekipe të mëdha, të kryesuara nga Juventus dhe Roma.

Zgjedhjet do të bëhen me votim të fshehtë. Kushti i parë për t’u shpallur fitues është marrja e shumicës prej 3/4-ave të votave, e nëse nuk arrihet kjo gjë, në raundin e dytë duhen të paktën 2/3-at e tyre. Nëse edhe këtu nuk arrihet të caktohet dikush si fitimtar, atëherë në raundin e tretë mjafton vetëm shumica asambleiste e 278 delegatëve, nga Serie A, Serie B, Lega Pro, Amatorët, futbollistët, teknikët dhe arbitrat.

E megjithatë, vota e secilës prej këtyre kategorive ka vlerë të ndryshme në përqindje, bazuar mbi rëndësinë e kategorisë në fjalë. Një votë e Serisë A vlen sa për 3 të Serisë B.

Pas zgjedhjes së presidentit do t’i hapet rruga edhe përzgjedhjes së trajnerit të ri të “axurrëve”, që do të udhëheqë Italinë në Europianin e 2016-s në Francë.

Top Channel