Diplomaci kulturore pa kornizë

11/08/2014 00:00

Ndue Dedaj – Nuk dimë dhe aq se si punon diplomacia jonë për të promovuar kulturën shqiptare nëpër botë, veçse e para gjë që të vjen ndërmend në këtë qasje është zbritja në Nju Jork e Faik Konicës, veshur me kostum kombëtar, në një udhëtim enkas nga Londra si “lab” e “malësor” shqiptar.

A e veshim sërish kostumin kombëtar të Konicës?…

E kishte nisur diplomacinë ende pa qenë diplomat zyrtar i vendit të tij. Madje e kishte bërë atë si të ishte një institucion më vetë e jo një individ, qoftë dhe njëri nga eruditët më të mëdhenj të kohës, me botimin e revistës së njohur “Albania”, zbulimin e flamurit të Skënderbeut dhe lëçitjen e tij ndër shqiptarë e të huaj për të shtuar krenarinë për vendin e shqipeve, ku për këtë qëllim kishte shkruar dhe veprën “Shqipëria, kopshti shkëmbor i Europës Juglindore” dhe kishte nxitur personalitete të njohura si Meri Edith Durham të vinin në Shqipëri e të shkruanin për shqiptarët. Ja, kjo është dhe shkolla e parë e diplomacisë shqiptare. E pavarësisht këtyre, ai, me gjestin e tij “folklorik”, nuk rrinte dot pa promovuar dhe kostumin shqiptar, në një mënyrë tejet origjinale, që vetëm Konica mund ta bënte, duke tërhequr vëmendjen e botës së qytetëruar ndaj atdheut të tij. Ka vazhduar kjo gjë dhe plot herë të tjera në njëqind e ca vite dhe nga diplomatë e artistë popullorë, pa folur për të huaj të pasionuar pas kulturës sonë qysh nga Lord Bajroni, që gjithashtu ka dalë në foto veshur me kostumin shqiptar. Të tjerë kulturologë, albanologë e kanë çuar kostumin tonë në Paris, Shën Peterburg etj. At Zef Valentini ishte italian, por me plot gojën u bë shqiptar, si misionar jezuit në Shkodër, si albanolog i madh, që shkroi studime gjeneroze për ligjet e maleve shqiptare e të tjerë, ku njërën nga veprat ia kushtonte Gjergj Kastriot Skënderbeut, duke e quajtur “një emër të madh në historinë e së drejtës tradicionale e kristiane të Shqipërisë” e duke organizuar dhe kremtimin e 500-vjetorit të tij në Romë (1968), ndonëse politika e vetizolimit e konsideronte një armik të vendit tonë e dihet që diplomacia nuk mund të dilte mbi politikën. Në personalitete të kalibrit europian, si Shuflai, Valentini apo Peter Bartl e Robert Elsie në ditët e sotme, kemi shtratin e një diplomacie kulturore të pabjerrë, që natyrisht ka nevojë të vihet në lëvizje, çka do të ishte një temë më vete.

Për t’u kthyer te showmen-i me veshje kombëtare Konica, po ne sot, pas njëqind vitesh, a e “veshim” sërish atë kostumin e tij apo tashmë e kemi bërë të njohur sa duhet Shqipërinë? Për të bërë diçka të çmuar për kombin tënd nuk ka nevojë me qenë doemos Konicë e sidomos për fjalë të fryra patetike, poza, zyrtarizëm. Është thënë qindra herë, sa është kthyer madje në postulat, se artistët janë ambasadorët më të mirë në botë. Dhe kjo jo vetëm në rastin e Shqipërisë, por dhe të Francës, Anglisë, Amerikës, ku artistë të mëdhenj të tyre ndërmarrin misione humanitare në vendet e tjera për të përçuar atje kulturën e bamirësisë, paqes etj. Mund të jesh Ismail Kadare, Jusuf Vrion, Inva Mulë, Tedi Papavram, Ermonela Jaho, Saimir Pirg, Lorik Canë, Erkand Qerim, por mund të jesh dhe një njeri i thjeshtë dhe të gjesh mënyrën për të përçuar kulturën e vendit tënd diku tjetër. Në shtypin amerikan, këto ditë është shkruar dhe për një fakt të bukur kulturor, mbulimin e urës së Bostonit me punime artizane shqiptare, bërë nga gra emigrante, me nismën e artistes së re Silvi Naçi, shkuar në Amerikë së voni dhe që ka studiuar për Arte të Bukura dhe Dizajn në Suffolk University. Kjo ekspozitë mbi urë është vetëm një shfaqje e asaj se çfarë mund të bëjë një shqiptar për kulturën amë e traditën e trojeve të tij, nëse do që atë ta shpalosë në botën moderne. Asgjë e vjetër nuk është e tejkaluar nëse përcillet pa “dyzen”. Të thurësh me shtiza për shumë gra në Shqipëri tashmë ngjan diçka e tejkaluar, por jo për ato që kanë emigruar, që kanë parë dhe qytetërimin e huaj nga afër e kanë menduar t’i dhurojnë atij dhe fletëza të qëndisura nga qytetërimi ynë. Është mbase më mirë se të dërgosh atje fotografitë e vjetra të trashëgimisë kulturore, duke thënë se kështu ka qenë. Ashtu si kontakti i parë i të huajve në Shqipëri, jo vetëm i turistëve, është pikërisht me sendet dhe veshjet e traditës, që jo vetëm i pëlqejnë, por dhe porosisin për t’i marrë me vete në vendet e tyre. Mund të bësh, pra, gjëra të vlefshme kombëtare edhe pa qenë person VIP i diplomacisë, artit, kulturës, sportit, biznesit. Një koncert në Parlamentin italian para pak javësh është organizuar nga shqiptarë të emigracionit atje, të cilët kishin dhënë koncerte popullore dhe në publik në Romë. Po kështu, kohë më parë, në mjediset e Parlamentit Europian, u bë dekustimi i verës “Arbëri”, që prodhohet në Mirditë prej më shumë se dhjetë vitesh në një kantinë moderne. E nuk është i vetmi mall shqiptar që i ka kaluar caqet e vendit. Ndoshta në këtë stinë “malli” më i pëlqyer nga të huajt është imazhi gjithsesi pozitiv i turizmi shqiptar në bregdet dhe në zonat malore, ky i fundit në fillimet e veta premtuese me Thethin e Valbonën.

“Nobeli” i vitit është në prag, ne heshtim për Kadarenë

Çdo vit kemi pritur në pranverë apo në verë se do të flitej për Kadarenë, ashtu siç duhet folur, në funksion të marrjes prej tij të çmimit “Nobel”, edhe pse mund të duket si diçka që nuk na përket neve. Mirëpo në vend që të ndodhë kjo, për çudi ne shpesh bëjmë të kundërtën, duke sajuar shkas për të thënë gjëra kundër tij, siç ishte dhe rasti i fundit që lidhet me romanin “Mjegullat e Tiranës”. Si nuk u lodhëm duke bërë të anasjellën e asaj që duhet? Si nuk u mërzitëm duke i rënë vetes? Koha nuk ka ndryshuar aspak, jemi ende në klishetë ideologjike dhe inatet e së kaluarës. Nëse para njëzet vitesh ndonjë diplomat yni në Perëndim shprehej kundër marrjes së “Nobelit” nga shkrimtari, tani vërtet mund të mos ketë të tillë, por nuk është se ndodh dhe tjetra, të dalin diplomatë që të ndërmarrin nisma promovuese të veprës së Kadaresë, paçka se ai personalisht nuk e ka të nevojshme një gjë të tillë, kurse prestigji i kulturës shqiptare, po. Veçse nëse nuk flasim e shkruajmë ne, këtu dhe në Kosovë, nëse nuk kemi organizuar ndonjëherë, bie fjala në Suedi, ndonjë panair të librit shqip, qysh nga kodikët e Beratit e hartat e vjetra, të tjerët nuk harrojnë t’i kujtojnë opinionit letrar apo dhe Akademisë suedeze, se nëse drejtësia ekziston, pretendenti i përjetshëm i “Nobelit”, Kadare, duhej ta kishte marrë prej kohësh atë! Por shkrimtari shqiptar duket se e ka “marrë” “Nobelin” pikërisht mes mosmarrjen, më saktë me mosdhënien, pasi nuk ka një shkrimtar tjetër si ai, me vepër të vlerësuar botërisht e i nominuar vit për vit për “Nobelin”, që të mos e ketë marrë. Ajo që duam të themi është sigurisht jo promovimi rutinë i ndonjë libri të Kadaresë nga diplomacia jonë te shkallët e Akademisë suedeze, por promovimi i imazhit kulturor, politik të Shqipërisë në Perëndim, i shqiptarëve të Shqipërisë, Kosovës dhe krejt rajonit, si njerëz që dinë të bëjnë shtet, politikë, institucione, kulturë, letërsi, ekonomi të qëndrueshme, stabilitet në rajon etj. Kësisoj, “Nobelin” kadarejan të munguar do ta merrnin shtatë milionë qytetarë europianë të kombësisë shqiptare, dhe për më tepër vetë rajoni ballkanik, në të gjitha gjuhët që flet e shkruan. Ky do të ishte konteksti dhe terreni në të cilin do të binte “Nobeli” i Kadaresë, dhe se është një çmim për meritimin letrar autorial të çdo shkrimtari e jo domosdoshmërish dhe për gjeopolitikën e gjeokulturën e vendit nga ai vjen. Por druaj se ne si faktor kulturor, letrar, akademik, ende nuk jemi në lartësinë e këtij çmimi, me një Akademi Shkencash të venitur nga tranzicioni, me zyrtarë të lartë apo të mesëm që stigmatizojnë në demokraci shkrimtarin e “oborrit”, sa më planetare bëhet fama e tij, duke e përfolur për kinse lidhjen me diktaturën, kur jo vetëm dje e pardje, por dhe sot emrat e të mëdhenjve politika i përfshin si pa të keq në listat formale të komiteteve social-politike pranë saj, edhe pse dihet se ata nuk i frekuentojnë këto forume, as Kadareja dje Frontin Demokratik të Shqipërisë, as Inva Mula Këshillin Bashkiak të Tiranës, dhe pse në përmbajtje këta dy organizma nuk janë e njëjta gjë. Artistët nuk kanë përgjegjësi për marifetet e regjimeve dhe trukimet që ato i bëjnë imazhit të tyre, duke përdorur emrin e krijuesve në zë.

…Ka aq shumë gjëra me të cilat mund të merret diplomacia jonë kulturore, me apo pa atashe kulturorë, që nga librat e rëndësishëm, fototekat, pikturat, veshjet, monumentet, resurset turistike etj. Toleranca fetare është një dimension yni kulturor dhe në vigjilje të vizitës së Papa Françeskut mund të ishte një aset fondamental për t’u promovuar fort, edhe në kontekstin e zhvillimeve në Lindjen e Mesme, siç është mirëparaqitur vitet e fundit në mediumet kulturore, shkencore ndërkombëtare ajo çfarë Shqipëria ka bërë për hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Top Channel