Spektakli i legjendave të Bayern dhe United

10/08/2014 00:00

Një ndeshje spektakolare ishte ajo mes legjendave të Bayern Munchen dhe Manchester United, mbi të gjitha për 60 mijë sportdashësit që kishin mbushur stadiumin “Allianz Arena”, takim që përfundoi në barazim 3-3, me gola të shënuar nga Paulo Sergio, Giovane Elber, Alexander Zickler për bavarezët, si dhe Andy Cole, dygolësh, e Paul Scholes, për United.

Sfida ishte një “qershi mbi tortë” në prag të mbylljes së përgatitjeve për sezonin e ri, pas së cilës Bayern Munchen zhvilloi edhe fotot zyrtare të ekipit të ri.

Megjithatë, për t’u rikthyer te sfida e legjendave, ishte pikërisht Cole, ai që gjatë karrierës së tij shënoi plot 187 gola në Premier League, i cili kaloi në avantazh yjet e United pas vetëm 9 minutash lojë, duke mposhtur portierin Jorg Butt.

Por, Paulo Sergio dhe Elber, respektivisht në minutat 11 dhe 21, përmbysin shifrat për bavarezët. Kujtojmë që Elber është shpallur edhe kampion Europe me Bayern në vitin 2001, ndaj Valencias. Më i riu i legjendave të “djajve të kuq”, Paul Scholes, i cili ka zhvilluar më shumë se 700 ndeshje me United, barazoi shifrat pas 5 minutash, e megjithatë gjermanët e mbyllën pjesën e parë në avantazh, pas golit të Zickler.

Në minutën e 83, ishte sërish Cole ai që barazoi shifrat, por ajo që ka rëndësi mbi të gjitha, është se këta “pleq” mund t’i kenë varur prej kohësh këpucët në gozhdë, e megjithatë, për ata që dëshmuan eventin në “Allianz Arenan” e tejmbushur, ata mbeten ende futbollistë tepër të realizuar.

Top Channel