Shtohet qarkullimi i njerëzve dhe mjeteve

10/08/2014 00:00

Në dy muajt e parë të verës së këtij viti, pikat e kalimit kufitar kanë kryer më shumë se 3 milionë veprime për njerëzit dhe më shumë se 720 mijë veprime për automjetet.

Veprimet e kryera në muajin korrik janë 20% më shumë se ato të kryera në qershor, ndërsa në gusht parashikohet një dyndje më e madhe. Pavarësisht numrit të lartë të hyrje- daljeve të shtetasve shqiptarë dhe të huaj, në dy muajt e parë të verës nuk rezultoi të kishte radhë të gjata në kufi, siç ndodh zakonisht çdo verë.

Kjo sipas specialistëve të kufirit, edhe për shkak të rritjes së numrit të sporteleve, sidomos nga pala shqiptare. Në krahasim me vitin e shkuar, ka një rritje të përpunimit të dokumentacioneve, si të shtetasve ashtu edhe të makinave.

Kështu, vetëm në muajin qershor janë kryer veprime me dokumentacionin e 620 mijë shtetasve shqiptarë dhe 640 mijë shtetasve të huaj. Ndërsa 160 mijë veprime janë kryer për automjete me targa shqiptare, të cilët kanë hyrë dhe kanë dalë nga vendi.

Lëvizja e automjeteve në Shqipëri ka mbetur në të njëjtat shifra edhe për muajin korrik, por lëvizja e shtetasve është shtuar me 500 mijë veprime më tepër për Policinë Kufitare Shqiptare. 1 milionë e 800 mijë veprime kanë kryer specialistët e kufirit për shtetasit shqiptarë dhe të huaj vetëm për muajin korrik. 800 mijë veprime janë kryer për shtetasit shqiptar dhe 1 milionë për shtetas të huaj.

Nëse totalin e veprimeve të policisë shqiptare e pjesëton për dy, duke përllogaritur hyrjen e daljen e një shtetasi në Shqipëri, përllogaritet  që vendi ynë në dy muajt e parë të verës të ketë patur me shumë se 800 mijë turistë të huaj.

Top Channel