Peleshi: Ndarja e re nxit investimet

10/08/2014 00:00

Nëpërmjet një projekti të Fondit Shqiptar të Zhvillimit u bë i mundur ndërtimi i rrugës Vorë-Kuç që lidh disa fshatra të bashkisë ekzistuese të Vorës.

Zv.kryeministri Niko Peleshi u shpreh se reforma territoriale-administrative sjell rritjen e kapaciteteve të bashkive, sikurse dhe riformatimin e Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe atij të Zhvillimit Rajonal, në mbështetje të qeverisjes vendore.

“Reforma territoriale është një hap shumë pozitiv, e para sepse krijon bashki më të mëdha, kursen një pjesë të fondeve që deri dje përdoreshin për shpenzime të fryra administrative dhe këto para tani mund të përdoren për investime. Ka kapacitete më të mira një bashki e madhe sesa një komunë e vogël dhe kapacitetet janë shumë të rëndësishme kur vjen fjala për projektimin e investimeve apo punëve publike, por edhe për zbatimin e tyre”, deklaroi Peleshi.

Ndërsa deputeti Artan Gaçi shprehu optimizëm për perspektivën e zhvillimit të bashkisë së re të Vorës. “Vora, me reformën e re administrative, kthehet në një fuqi ekonomike duke qenë se është në zemër të Shqipërisë dhe bashkë me Bërxullën dhe Prezën kthehen në një pol shumë të rëndësishëm ekonomik”, tha ai.

Nga ana e tyre, banorët e kësaj zone ngritën shqetësimin për mungesën e ujit të pijshëm, të cilin zëvendëskryeministri e konsideroi një rast tipik të keqmenaxhimit të investimeve dhe theksoi se qeveria është e vendosur t’i japë fund kësaj situate.

“Ne duam t’i japim fund historisë së miliona e miliona eurove të shpenzuara në gjithë Shqipërinë për ujësjellësa, kanalizime dhe impiante të përpunimit të ujërave që sot janë jashtë funksionit. Shqipëria, mesa duket, nuk ka vuajtur nga mungesa e fondeve, por ka vuajtur nga keqmenaxhimi dhe keqpërdorimi”, tha Peleshi.

Top Channel