Suarez pret verdiktin e Lozanës

08/08/2014 00:00

“Barcelona shpreson që Suarez të mund të luajë në Trofeun Gamper”, më 18 Gusht, kundër meksikanëve të Leon.

Lajmi bëhet i ditur nga “Mundo Deportivo”, duke presupozuar kështu mundësinë që sulmuesit uruguajan t’i reduktohet skualifikimi rekord, i cili iu dha për kafshimin që i bëri Giorgio Chiellinit gjatë sfidës Itali-Uruguaj, më 24 Qershor, në Brazil.

Suarez, i shoqëruar edhe nga një grup i madh avokatësh, do të dëgjohet të premten në TAS, Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv, në Lozanë, ku do të vlerësohet dënimi i dhënë ndaj tij dhe do të jepet edhe vendimi përfundimtar që, sipas mediave iberike, mund të rezultojë në rikthimin në fushë përpara mesit të Gushtit.

Suarez, sipas asaj që shkruajnë mediat spanjolle, pret një ulje të ndjeshme të dënimit, krahasuar me atë aktualin prej 4 muajsh inaktivistet futbollistik, si dhe 9 ndeshje pa luajtur me kombëtaren e tij.

Sipas “Marca”, Barcelona shpreson që dënimi i tij të reduktohet thuajse tërësisht, pasi mbështetet në faktin se, një skualifikim i marrë në kompeticion ndërkombëtar, nuk mund të ketë efekt në turne të tjerë, siç janë kampionati spanjoll apo Champions League. Për katalanasit, mjafton që dënimi të mbetet për mosaktivimin e tij me kombëtaren.

Top Channel