Shfarosja e pyjeve ne rajonin juglindor të vendit nuk po frenohet. Vit pas viti duket se rrezja e prerjes se paligjshme të pyjeve është duke u zgjeruar çka po sjell edhe alarmin e banoreve të zonave të ndryshme.

Pyjet e Lozhanit janë synimi i radhës për shkatërruesit e pyjeve, të cilët çdo ditë sharrojnë dhjetëra metra dru.

Banorët e fshatit Lozhan kanë denoncuar masakrën e radhës, e cila është duke u kryer pikërisht në pyllin e tyre, pyll që kjo zonë e ka trashëguar dhe ruajtur me fanatizëm brez pas brezi.

Por, sipas tyre, befas është shfaqur një kompani që pretendon se ka kontrata dhe ka pushtuar tërë sipërfaqen e pyllit, duke filluar prerjet. Kjo i ka shqetësuar banoret, duke bërë që ata të trokasin dyerve të instancave dhe në rast se nuk gjejnë mbështetje, ata shprehen se do të protestojnë më tej.

“Nga një firmë që pretendon se është me dokumenta të rregullta, por që ka konflikt pronësie. Ne kemi ngritur zërin në Drejtorinë e Përgjithshme të Pyjeve në Tiranë kemi bërë edhe ankesë, e cila është e protokolluar. Kemi bërë ankesë tjetër edhe në Drejtorinë Rajonale të Korçës dhe shohim që këtu në terren nuk ka asnjë punonjës të Policisë së Pyjores të vijë të bëjë verifikimin e situatës. Këtu ka prerje në masë të pyjeve. Gjendja është mjaft e rëndë”, u shpreh njëri prej banorëve.

Lozhani është një prej zonave me pyje më të dendur të rajonit juglindor, i cili mbrohet nga shteti.
 

Top Channel