Replika De Biazi – Partizani për Vilën

08/08/2014 00:00

Deklarata e trajnerit De Biasi një ditë më parë tek e përditshmja Panorama Sport, rreth zgjedhjes që ka bërë Emiliano Vila për të kaluar tek Partizani nuk ka kaluar pa zhurmë.

Për trajnerin e përfaqësueses së Shqipërisë kthimi i tij në Superligë është një hap prapa edhe për sa i përket synimit që ka ky lojtarë për aktivizimin me kombëtaren.

I pari ishte klubi kryeqytetas ai i cili ka reaguar nëpëmjet një komunikate për shtyp, ndërkohë që në një intervistë për Top Channel, trajneri i Partizanit, Shpëtim Duro i kërkon në një farë mënyre të ulet me këmbë në tokë trajnerit De Biasi dhe të mos komentojë zgjedhjet e asnjë lojtari të veçantë.

“Secili ka mendimin e tij por të mos harrojmë se edhe ai është trajneri i kombëtares së Shqipërisë, nuk është trajner i kombëtares së Gjermanisë. Vila vjen te një skuadër me emër dhe traditë sic është Partizani. Vila do të jetë në qendër të vëmendjes. Trajneri i kombëtares ka të drejtë t’i gjykojë për vlerat dhe cilësitë e futbollistëve, për t’i marrë apo jo është e drejtë e tij në ekipin kombëtar, por nuk jam i mendimit të paragjykoj zgjedhjet individuale të futbollistëve të veçantë”, thotë trajneri Duro.

Ndërkohë Partizani ka ndryshuar rreth 80% të skuadrës në këtë merkato dhe duket të jetë tashmë gati për sezonin e ri, pasi është në përfundim edhe të fazës përgatitore që zhvillon prej rreth 2 javësh në Bullgari.

Sipas trajnerit Duro me blerjen e Vilës merkato e të kuqve është thuajse e mbyllur.

“90 përqind merkato jonë ka përfunduar. Ky kampionat do të jetë shumë i fortë. Të gjitha skuadrat janë përforcuar dhe do jetë një kampionat me rivalitet. Unë jam i kënaqur me Partizanin”, shton ai.

Kampionati shqiptar në këtë sezon do të ketë një tjetër formulë me 4 faza nga 9 javë secila dhe vetëm 10 skuadra pjesëmarrëse, në total do te zhvillohen 36 javë, për verdiktin final të 4 skuadrave të para që do të marrin pjesë në Kupat e Europës dhe 2 skuadrave që do të zbresin një kategori më poshtë.

Sezoni i ri i Superligës nis më 23 gusht.

Top Channel