Presidenti i FIGC përçan Serie A

08/08/2014 00:00

Kaos në futbollin italian! Ky ishte titulli i të përditshmeve sportive italiane pas eliminimit të Italisë, që në fazën e grupeve, gjatë Botërorit 2014 në Brazil, pas të cilit dhanë dorëheqjen si trajneri i kombëtares axurre, Prandelli, ashtu edhe presidenti i Federatës (FIGC), Giancarlo Abete.

Edhe pse ka kaluar thuajse një muaj nga fundi i Botërorit, futbolli italian vijon me “krizën” brenda tij, teksa së fundi Serie A është ndarë më dysh, kjo sa i përket pasardhësit të Abetes në krye të Federatës.

Pas disa javëve debatesh të zjarrta, frazash me sfond racist, dhe ndërhyrjeve të Giovanni Malago, një qëndrim të ashpër kanë marrë edhe 9 ekipe të kampionatit italian, Serie A. Juventus, Roma, Torino, Sampdoria, Sassuolo, Empoli, Cagliari, Cesena dhe Fiorentina kanë kërkuar zyrtarisht tërheqjen nga kandidimi për dy kandidatët Tavecchio dhe Albertini.

“Nuk mbështesim dhe nuk do të votojmë asnjërin prej dy kandidatëve për president të FIGC, pasi për të reformuar futbollin italian duhet një konsensus edhe më i madh, i cili në këto momente mungon”, lexohet në komunikatën e tyre. “Tavecchio e Albertini duhet të reagojnë dhe të tërhiqen nga kandidimi”.

“Në lidhje me zgjedhjet për president të FIGC, që do të mbahen më 11 Gusht, – vijon komunikata, – klubet bëjnë të ditur qëndrimet zyrtare të tyre të mosmbështetjes dhe, si pasojë, edhe mosvotimit, të asnjërit prej dy kandidatëve”.

Dëshira e 9 klubeve është që bota e futbollit të nisë të projektojë të ardhmen përmes reformave të rëndësishme.

Top Channel