“Para drejtësisë drejtues të arsimit”

08/08/2014 00:00

Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, iu përgjigj akuzave të ish-kryeministrit Sali Berisha për veprime klienteliste dhe kundër interesave të të rinjve në mbylljen e disa institucioneve publike dhe private të arsimit të lartë.

Ministrja Nikolla i cilësoi të pavërteta të gjitha deklaratat e ish-kryeministrit, duke nisur nga shifra e kuotave për pranimin e studentëve këtë vit akademik, kur nga universitetet publike ishin propozuar 22 mijë kuota.

“Ne në fakt kemi miratuar në total 19196 kuota, rreth 2800 kuota më pak sesa kërkesa. Ku del shifra 11 mijë? Në fantazitë për të çoroditur rininë? Në fantazitë mjerane për të bërë me faj një qeveri që i ka dalë zot vendit dhe po ndryshon çdo ditë arsimin?” tha ministrja.

Përsa i përket akuzave për klientelizëm në heqjen e licensave për disa universitete private, ministrja e Arsimit shfaqi foto të mësimdhënies në kushte të papërshtatshme dhe një tjetër që akuzohet për shitje diplomash: “Janë vetëm disa prej diplomave që ka shitur për studentë të huaj: stomatologë, infermierë, juristë, inxhinier të informacionit dhe teknologjisë pa ditur asnjë fjalë në gjuhën shqipe, madje pa ardhur asnjëherë në Shqipëri. Ja pse vendosëm në mbledhjen e Këshillit të Ministrave për të hequr licensa.”

Ministrja e Arsimit deklaroi se shumë shpejt do të bëhen publike raportet mbi bazën e të cilave u propozua heqja e licensave për disa universitete private dhe paralelisht me këtë do të bëhet padi për çdokënd që ka shkelur ligjin: “Do të vijojmë të vendosim para përgjegjësisë të gjithë ata që kanë mbyllur sytë, që kanë shkelur ligjin, shitur dhe blerë diploma, por pa dyshim do të bëjmë transparencë dhe do të çojmë para drejtësisë edhe ata drejtues të Ministrisë së Arsimit që kanë licensuar programe dhe insitucione të caktuara edhe atëherë kur Këshilli i Akredimit është shprehur se këto nuk plotësojnë kushtet.”

Top Channel