Ministria e Mbrojtjes ka përfituar një fond prej 1,2 milionë dollarësh për pastrimin e vendeve me mbetje të rrezikshme.

Një e tillë, pas pastrimit nga ushtria, iu dorëzua strukturave të pushtetit vendor në Gërdec, paraditen e së premtes.

Ministrja e Mbrojtjes tha gjatë ceremonisë, se Ministria e Mbrojtjes është e vendosur për të pastruar çdo vend, që cënon komunitetin në Shqipëri.

“Paudhësitë e keqqeverisjes, dëshira për të abuzuar me pushtetin, për të vënë në punë njerëz të pasiguruar, dëshira për të punuar në ambiente të rrezikshme fëmijë, apo për ta bërë këtë në kundërshtim me çdo rregull, me çdo ligj dhe çdo moral, e ktheu këtë zonë, për fat të keq, në një zonë me 26 të vrarë, qindra të plagosur dhe qindra shtëpi të shkatërruara. Që të mos ndodhë më dhe që të mos kemi asnjëherë histori të tilla, ne do të vazhdojmë të tregojmë impenjimin tonë, se gjërat mund të bëhen më mirë dhe do të bëhen më mirë”, u shpreh ministrja Mimi Kodheli.

Gjatë takimit me forcat ushtarake që pastruan zonën, ministrja e Mbrojtjes Kodheli u shpreh se ka ende shumë punë për të bërë, për pastrimin e plotë të kësaj zone. Deri tani, në zonën e cilësuar me mbetje të rrezikshme janë pastruar 36042 m2, e cila i është dorëzuar komunitetit dhe mbeten ende për t’u pastruar edhe 31750 m2.

Top Channel