Vjedhja e BSH, policia jashtë hetimit

07/08/2014 00:00

Vjedhja e Thesarit të Bankës së Shqipërisë është ndoshta një ndër çështjet më të bujshme të viteve të fundit, por ajo që bie në sy është fakti se, në të gjithë zinxhirin e ngjarjeve Policia e Shtetit nuk ka qenë e përfshirë thuajse në asnjë moment.

Që nga dita e parë, deri tani, çdo gjë është përqendruar në duart e Prokurorisë. Grupi i prokurorëve për hetimin e çështjes së Bankës së Shqipërisë nuk i ka deleguar Policisë së Shtetit shqiptar asnjë veprim për të kryer, duke e bërë tërësisht këtë hetim të vetin, e duke mos e përfshirë atë në hetim.

Në praktikën e konsoliduar prej vitesh të çështjeve të tilla, prokuroria urdhëron hetime në bazë të ligjeve në fuqi, ndërsa një pjesë të hetimeve dhe veprimeve i kryen Policia e Shtetit.

Por, këtë radhë, organi hetimor nuk ka dashur të ndjekë procedurën standard. Ajo ka vendosur t’i marrë përsipër vetë të gjitha veprimet e hetimit, provat, marrjet në pyetje dhe vendimet për arrestim, duke mbyllur çdo veprim vetë dhe duke i lënë policisë vetëm ekzekutimin e urdhër-arresteve për llogari të prokurorit të çështjes.

Pavarësisht se kjo procedurë shihet si një anashkalim i policisë në këtë çështje, kjo mënyrë e zgjedhur nga Prokuroria nuk shkel asnjë ligj në fuqi, por është thjesht një zgjedhje e dytë e veprimeve proceduriale të kryera në hetime të tjera.

Pavarësisht se një zgjedhje e tillë e prokurorëve nuk cënon as bashkëpunimin mes dy organeve, përjashtimi i policisë dhe centralizimi në vetëm një institucion, Prokurorinë, dhe në vetëm një dorë të ngushtë prokurorësh, i një çështjeje kaq të madhe, ngre disa pikëpyetje.

Specialistët mendojne se policia duhej të përfshihej në veprimet proceduriale, për aq sa i takon me ligj, jo vetëm për t’i dhënë një ndihmë më të madhe hetimit dhe për të shkurtuar kohë në kryerjen e këtyre veprimeve, por edhe për të garantuar transparencën e rezultateve, që do të prodhonte në fund hetimi.

Aq më tepër kur ngjarja ka shkaktuar jo vetëm një reagim të fortë të opinionit publik, por edhe një shkallë skepticizmi, se do t’i shkohet deri në fund kësaj çështjeje për të zbuluar dhe ndëshkuar të gjithë përgjegjësit.

Top Channel