“Reforma territoriale nxit zhvillimin”

07/08/2014 00:00

Zv.Kryeministri Niko Peleshi në vijim të vizitës në rrethin e Tropojës u takua me banorë të zonës turistike të Valbonës si dhe  inspektoi punimet në rrugën Bajram Curri – Valbonë, e cila do të zgjidh një nga pengesat më të mëdha që kanë penguar zhvillimin e turizmit.

Sipas numrit 2 të qeverisë shqiptare reforma territoriale, por edhe filozofia e zhvillimit të qeverisë shqiptare do ta transformojnë zonën e Tropojës.

“Është një rrugë shumë e rëndësishme që i jep një frymëmarrje të madhe një zone  turistike që është zhvilluar me forcat e veta dhe këtë duhet ta themi. Ne jemi të bindur që ndryshimet e fundit, pra reforma territoriale dhe administrative nga njëra anë, por edhe filozofia e qeverisë së re shqiptare për të mbështetur lokalitetet tona dhe bashkitë tona të reja do ta transformojë zonën.  Plani yne për zonën e Tropojës është një plan integral. Ne nuk do të mjaftohemi vetëm me përfundimin e një cope rrugë apo të një ujësjellësi. Ne duam që të përfundojmë një plan zhvillimor që i ka të gjithë komponentët brenda që nga infrastruktura, ujësjellësat, kanalizimet, shërbimet, zhvillimin e turizmit”, tha Peleshi.

Përballë bukurive natyrore që ofron Valbona Peleshi deklaroi se duhet bërë akoma më shumë për të tërhequr turistë vendas pas suksesit me ata të huaj.

“Këtu potenciali i turizmit është shumë i madh. Pra programe mbështetje dhe kjo zonë ka arritur sukses sepse ka rritur shumë numrin e turistëve. Dhe është për t’u thënë me turp që bukurinë e kësaj zone e kanë zbuluar më parë të huajt se sa shqiptarët nga pjesët e tjera të Shqipërisë, sepse ka më shumë të huaj vizitorë se sa shqiptarë”, shtoi zv.Kryeministri.

Top Channel