PD: Qeveria i dhuroi parà CEZ-it

07/08/2014 00:00

Partia Demokratike ka vijuar akuzat ndaj qeverisë në lidhje me atë që selia blu e cilëson skandal në lidhje me CEZ-in.

Në emër të PD, Eno Bozdo ka ritheksuar se qeveria shqiptare, jo vetëm që nuk ka kërkuar dëmshpërblim nga kompania çeke, por përkundrazi i ka falur asaj edhe 95 milionë euro.

Me këtë rast, Bozdo i ka drejtuar edhe një sërë pyetjesh kryeministrit Rama.

“Pse u mbajtën të fshehta raportet e kompanive ndërkombëtare? Këto raporte kanë qenë në dispozicionin e qeverisë tuaj, zoti Rama, në Shkurt të vitit 2014. Si është e mundur, që vlerësimet e tyre nuk u morën aspak parasysh përgjatë negociatave? Si është e mundur që, kur ekspertët ndërkombëtarë vlerësonin se përgjegjësia për gjendjen e krijuar ishte e gjitha e kompanisë CEZ, ju si kryeministër vazhdonit të fajësonit qeverinë e mëparshme? Pse, edhe kur ekspertët ndërkombëtarë çertifikuan me shkrim, se sjellja e qeverisë shqiptare kundrejt CEZ ishte konform detyrimeve kontraktuale, ju vazhdonit t’u thoshit shqiptarëve se për këtë fajin e kishte qeveria e mëparshme? Mos vallë, sepse po përgatisnit terrenin për të arritur këtë marrëveshje të mega-vjedhjes?”, u shpreh ndër të tjera Bozdo.

Top Channel