PD: Drejtësia nën presionin e Ramës

07/08/2014 00:00

Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, gjatë një deklarate për mediat tha se drejtësia është nën presionin e kryeministrit Edi Rama.

Sipas tij, drejtësia, në rastet e denoncuara për korrupsion, po përdor standarde të ndryshme në vendimet që jep, duke vendosur masa të buta për të zgjedhurit socialistë dhe masa maksimale të ashpra dënimi, për të zgjedhurit demokratë.

“Prej një muaji mbahet në arrest me burg kryetari i Komunës së Rrashbullit, Hysen Gashi, i cili akuzohet nga prokuroria për të njëjtat shkelje që akuzohet edhe kryetari i Bashkisë së Vlorës, por ky i fundit është i lirë çdo ditë. Aplikimi i dy standardeve nga gjykatat; masën më të fortë për të zgjedhurin demokrat, dhe masën më të butë për të zgjedhurin socialist, është një këmbanë alarmi për drejtësinë në vend dhe për gjunjëzimin e saj para presionit të Edi Ramës. Në rastin e kryetarit të Komunës së Rrashbullit është aplikuar masa më e ashpër e mundshme. Gjithashtu, Gashi ka një gjendje të rënduar shëndetësore, rrethanë që gjykata e mban zakonisht parasysh, kur jep masën e sigurisë. Por, për të zgjedhurin demokrat, drejtësia jep masën e sigurisë që duhet të aplikohet ndaj kriminelëve me rrezikshmëri të lartë shoqërore, ndërkohë që, fatkeqsisht, kriminelët me rrezikshmëri të lartë shoqërore janë ata, që tashmë janë në Parlament, dhe janë ata, që do të vendosin për gjyqtarët. Partia Demokratike i bën thirrje Prokurorit të Përgjithshëm dhe gjyqtarëve, që të garantojnë parimin e barazisë para ligjit për çdo shtetas të Republikës së Shqipërisë, dhe të drejtave të tyre proceduriale, në respekt të një procesi të rregullt ligjor”, tha Oerd Bylykbashi, nënkryetar i Komisionit të Ligjeve.

Top Channel