Harito: IMEI nuk është për përgjim

07/08/2014 00:00

Ministrja e Inovacionit dhe Administratës Publike hedh poshtë të gjithë aludimet dhe mundësitë teknike, që IMEI i telefonit mund të përdoret për të përgjuar komunikimet private të shtetasve shqiptarë.

“IMEI është si numri i shasisë së veturës suaj; identifikon veturën. Vetura mund të jetë e babait, nënës, të fejuarit tuaj, por kjo nuk do të thotë kush e nget veturën dhe aq më tepër se ku shkon vetura. Është thjesht një identifikim i aparatit! Këto që përmendni janë të dhëna, që gjenden në telefonin tuaj dhe nuk ka lidhje fare mes faktit, që posedohet numri i aparatit, me të dhënat e aparatit, pra të mos ngatërrojmë veturën me personat që janë brenda në veturë. Vendndodhjen e aparatit celular nuk e përcakton numri i tij në vetvete; vendndodhja e aparatit celular nëpërmjet IMEI-t përcaktohet nga operatorët celularë, sepse edhe sot operatorët celularë, në qoftë se dëshirojnë të kenë akses në vendndodhjen tuaj e kanë aksesin në këtë vendndodhje të aparatit. Qoftë përmes të dhënave të kartës SIM, që janë të dhëna shumë më të shtjelluara dhe shumë më personale, të cilat sot që flasim i posedojnë operatorët celularë, qoftë përmes numrit të IMEI-t; pra është e mundur të lokalizohet personi. Ky është gjithashtu një detyrim evropian për arsye emergjence, për të ditur nga bie si shembull një thirrje emergjence, një thirrje në rast se ka një aksident etj.”, tha ministrja Milena Harito.

Ministrja Harito thotë se qeveria ndërmori këtë hap, për të shmangur evazionin fiskal dhe parandaluar vjedhjen.

“Sot ka një numër të madh celularësh, që hyjnë kontrabandë në Shqipëri. Sot ka një treg të zi të telefonave celularë dhe i gjithë ky treg duhet të paguajë taksa. Përse sot regjistrohet makina në doganë? Nuk mund të hyjë në doganë një veturë e paregjistruar. A shkel kjo privatësinë e personave? Nuk ka lidhje fare! Është identifikim i aparatit për arsye kryesisht fiskale! Pra për çështjet e kontrabandës dhe për çështjet që kanë lidhje me vjedhjen e celularit! Në Francë, regjistrimi i numrave IMEI është bërë para shumë vitesh, për të parandaluar vjedhjen. Si e parandalon vjedhjen? Nëse iu vjedhin aparatin celular, shkoni në polici, deklaroni se iua kanë vjedhur dhe menjëherë aparati me këtë numër bllokohet, pra nëse dikush e ka vjedhur nuk ka asnjë interes, sepse nuk mund ta rishesë apo ta ripërdorë”, tha më tej ministrja Milena Harito.

Vendimin e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, që shpall të pavlefshme direktivën e BE-së, sipas së cilës kompanitë mund të krijonin një bazë të dhënash, të cilën mund ta kishte në dispozicion vetëm prokuroria për qëllime hetimi, ministrja Harito e interpreton ndryshe nga opozita.

“Imei ishte një pikë në ujë…aty kishte shumë të dhëna mbi përdoruesin, mbi kartën SIM, e cila shumë më tepër të dhëna, e që iu lejonte operatorëve të celularëve të kishin akses në rast nevoje, për arsye sigurie, te të dhënat e qytetarëve. Është e vërtetë që në Prill të këtij viti, Gjykata Europiane vendos që kjo direktivë e vitit 2006, të shfuqizohej për disa arsye të caktuara, që kanë të bëjnë me mënyrën se si përdoren këto të dhëna. Pra, nuk hidhet poshtë vullneti i shteteve europiane për të pasur të dhëna lidhur me sigurinë e tyre, sepse kjo është legjitime për sigurinë e çdo shteti, por mënyra se si trajtohet duhet riparë. Me miratimin e direktivës së re do ta pasqyrojmë dhe ne në ligj”, tha Milena Harito.

Vendimi i qeverisë detyron qytetarët të japin te kompanitë celulare numrin identifikues të aparatit të tyre, të dhëna të cilat kompanitë i transferojnë më pas në Ministrinë e Financave, institucion që do të menaxhojë serverin. Në rast të kundërt, qytetarëve u bllokohen thirrjet telefonike nga operatorët celularë.

Top Channel