Kënaqësia e gjermanëve me qeverinë e tyre ka arritur një rekord historik të të gjitha kohërave, sipas një sondazhi të bërë, teksa 57 përqind e të anketuarve e deklarojnë veten të lumtur me koalicionin e Angela Merkel.
Ndërsa 74 përqind e tyre thonë se miratojnë në mënyrë specifike Kancelaren gjermane. Sipas sondazhit të “Deutshclandtrend”, ku janë anketuar 1003 njerëz nga rrjeti i transmetimit ARD, kënaqshmëria me qeverinë e koalicionit, në pushtet që prej Dhjetorit 2013, është rritur me 7 përqind nga Qershori, për të arritur nivelin më të lartë që kur kanë nisur të tilla sondazhe, në 1997-n.
Vet kënaqshmëria për Merkelin është rritur me 3 pikë përqindjeje, vlerësimi më i lartë për të në thuajse 7 vitet e fundit.
Ministra kyç të qeverisë, si ai i Jashtmi Frank-Walter Steinmeier, si dhe ai i Financave, Wolfgang Schaeuble, kanë marrë gjithashtu vlerësime të kënaqshme, me 74 përqind dhe 65 përqind respektivisht.
Gjermania i gëzohet rritjes ekonomike më të fortë, ndër 3 vitet e fundit, në tremujorin e parë të vitit 2014, ndërkohë që koalicioni i tretë qeveritar i Angela Merkel ka shpallur një pagë minimale më të lartë dhe një moshë pensioni më të ulët, për disa punonjës.
Kancelarja mbetet gjithashtu popullore edhe sa i përket administrimit të kujdesshëm të krizës së eurozonës. Një tjetër sondazh i së njëjtës kompani, tregon se 70 përqind e gjermanëve miratojnë sanksionet strikte ekonomike të vendosura nga Gjermania dhe Bashkimi Europian ndaj Rusisë, pas rrëzimit të avionit MH17 të “Malaysia Airlines”, në Ukrainë, në Korrik.
Top Channel