Basha: PD do ringrihet si parti fituese

07/08/2014 00:00

Në një takim me drejtuesit e rinj të strukturave të partisë, kreu i demokratëve Lulzim Basha ka theksuar se PD do të dijë të ringrihet duke i dhënë fund pushtetit abuziv, siç ai e quajti koalicionin Rama – Meta.

“Partia Socialiste e Edi Ramës dhe Lëvizja Socialiste për Integrim e Ilir Metës e kompromentuan rëndë drejtimin e vendit duke promovuar dhe emëruar në detyra të rëndësishme deri në Kuvendin e Shqipërisë trafikantë të të gjitha llojeve, individë me rekorde kriminale, spekulantë dhe mashtrues të të gjitha kategorive. Ata jo vetëm e futën në një krizë të panjohur më parë, por edhe e damkosën me njollën e turpit drejtimin si praktikë dhe si vlerë. Ne do ta nxjerrim drejtimin nga kriza, ne do t’i heqim njollat e turpit që vuri Rama dhe Meta. Ne do të rikthejmë vlerat, demokracinë, pjesëmarrjen, seriozistetin, meritokracinë, dijen, përkushtimin dhe kulturën e shërbimit ndaj qytetarëve”, deklaroi Basha.

Sipas zotit Basha, PD do të jetë alternativa e një ndryshimi që do të ecë së bashku me njerëzit dhe kërkesat dhe problemet e tyre, e kjo do të vijë mes një hapje të vazhdueshme ku do të gjejnë vend të gjithë.

“Duhet të jemi një derë kurdo e hapur për qytetarët. T’i presim dhe t’u shkojmë, t’i pyesim dhe t’i dëgjojmë, t’u përgjigjemi dhe t’u shërbejmë. Të marrim zotimet para tyre dhe t’i mbajmë ato në varësi të pozicioneve që kemi. Ta mbajmë mendjen mirë se nuk jemi parti e interesave të një grushti njerëzish, nuk jemi parti e miqve dhe shokëve, edhe pse kemi nderim të madh për miqësinë dhe shoqërinë. Jemi parti e njerëzve të lirë, parti e Shqipërisë, alternativa e së djathtës dhe e qendrës në këtë vend”, u shpreh kreu i demokratëve.

Basha kërkoi angazhim maksimal nga të zgjedhurit e rinj të partisë dhe një luftë të vazhdueshme e të shumëfishte për të denoncuar korrupsionin që ka pushtuar, sipas tij vendin.

Në fjalën e tij të gjatë zoti Basha i mëshoi shpeshmi përafrimit të partisë me njerëzit duke e shtrirë këtë bashkëpunim kudo.

Top Channel