Rusia dyfishon trupat në kufi

06/08/2014 00:00

Rusia rriti numrin e trupave të saj në kufi me Ukrainën, veprim ky i cili ngriti shqetësime për qeverinë e Kievit.

Sipas autoriteteve, mendohet se kjo mund të jetë një ndërhyrje e re nga ana e Putin, sepse veprimet zinxhir nga ana e Moskës i përngjajnë skenarit, që u bë për çështjen e Krimesë.

Sipas një zyrtari të NATO-s, Rusia tani ka rreth 20,000 trupa të stacionuara “në një zonë përgjatë kufirit me Ukrainën Lindore”. Dyfishimi i trupave të dërguar vjen afërsisht një javë, pasi Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian rritën sanksionet ekonomike për Rusinë, sepse sipas tyre ajo mbështet rebelët pro-rusë për të vazhduar luftën me forcat qeveritare në rajonet lindore të Donjeckut dhe Luhanskut.

Përveç kësaj, Ministria e Mbrojtjes së Rusisë është duke organizuar një javë stërvitjesh intensive ushtarake, që përfshijnë trupat ajrore dhe forcat e saj të Mbrojtjes, të specializuara për hedhjen e raketave.

Ushtrimet janë duke u zhvilluar në rajonin jugor të Rusisë, rreth 500 kilometra larg kufirit me Ukrainën.

Ndërkohë, zyrtarët e Ukrainës thanë se ata po përgatiten për një “sulm masiv” në qytetin Donjeck. Sipas zhvillimeve të fundit, Ukraina po fiton sërish terren dhe ka arritur të rimarrë disa qytete, duke i zmbrapsur kështu forcat ruse.

Moska duket se nuk e ka pritur mirë këtë lajm, ndaj dhe po vazhdon me tentativa të tjera për të rifituar kontrollin në bastionet e saj të dikurshme në Ukrainë, që sipas tyre do të krijojnë shtetin e ri “NovoRossiya”, ose quajtur ndryshe “Rusia e re”.

NATO i frikësohet agresionit rus në Ukrainë
“Mund të përdorë justifikim ‘misionin humanitar apo paqeruajtës’ për ta pushtuar”

Rusia ka shtuar praninë e saj, në rreth 20 mijë trupa ushtarakë të gatshëm për luftë, në kufirin me Ukrainën, e mund të përdorë si justifikim ‘misionin humanitar’ për të pushtuar Lindjen e vendit, ka bërë të ditur NATO gjatë së mërkurës, një paralajmërim i zymtë i aleancës, që së shpejti mund të çojë në ndërmarrjen e një sulmi tokësor të Moskës ndaj fqinjëve.

“Ne nuk marrim me mend se çfarë mund të bëjë Rusia në të ardhmen, por mund të shohim se çfarë ajo po bën aktualisht në terren, gjë që përbën një shqetësim shumë të madh. Rusia ka grumbulluar rreth 20 mijë trupa të gatshëm për luftë në kufirin lindor të Ukrainës”, tha zëdhënësja e NATO-s, Oana Lungescu, përmes një deklarate të dërguar me postë elektronike.

Moska mund të përdorë “pretekstin e një misioni humanitar apo paqeruajtës, si një shfaqësim për të futur trupat në Ukrainën Lindore”, tha ajo më tej.

Ndërkohë, Kievi ka bërë të ditur se 18 ushtarakë ukrainas janë vrarë dhe 54 të tjerë janë plagosur në 25 përplasje të ndryshme gjatë së martës në Lindje të Ukrainës.

Zëdhënsi i ushtrisë, Andriy Lysenko, tha se trupat e tyre janë bombarduar nga territori rus, ndërsa rojet kufitare janë gjendur nën një sulm 4-orësh me mortaja dhe artileri të rëndë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB