Izraeli ofron zgjatje të armëpushimit

06/08/2014 00:00

Izraeli është shprehur i gatshëm të zgjasë armëpushimin 3-ditorë, i cili filloi mëngjesin e së martës, por deri tani nuk ka pasur komente nga ana e militantëve palestinezë të Hamasit, të cilët kontrollojnë Gazën.

Bisedimet mes fraksioneve palestineze dhe përfaqësuesve të Izraelit janë duke u zhvilluar në Egjipt për arritjen e një armëpushimi të gjatë.  

Më herët gjatë së mërkurës, Kryeministri Izraelit Benjamin Netanyahu fajësoi Hamasin për vrasjen e civilëve në Gaza, duke thënë se ata ishin përdorur si mburojë nga ana e organizatës.

Delegacioni palestinez në bisedimet në Kajro është i përbërë nga përfaqësues të Hamasit, anëtarë të Xhihadit Islamik dhe Autoritetit Palestinez. Kërkesa kryesore palestineze është dhënia fund e bllokadës në Gaza nga ana e Izraelit, e cila ka nisur që nga viti 2007, gjithashtu ata kërkojnë edhe hapjen e kalimeve kufitare.

Më shumë se 1800 palestinezë, kryesisht civilë, janë vrarë në konflikt, në të cilin kanë humbur jetën edhe 67 izraelitë, kryesisht ushtarë.  

Me mijëra palestinezë janë rikthyer në shtëpitë e tyre pas armëpushimit 3-ditorë, por nuk kanë gjetur asgjë tjetër përveç rrënojave.

Gjermania, Franca dhe Britania kanë propozuar riaktivizimin e një misioni të Bashkimit Europian në kufirin mes Egjiptit dhe Gazës, për t’i ardhur në ndihmë dhe për të stabilizuar enklavën palestineze të shkatërruar nga lufta 1-mujore me Izraelin, ka bërë të ditur një burim nga diplomacia gjermane, të mërkurën, për Reuters.

Top Channel