Hetim auditit të Bankës së Shtetit

06/08/2014 00:00

Bordi i Mbikqyrjes Publike do të hetojë kompaninë ndërkombëtare, që ka audituar Bankën e Shqipërisë. Kryetarja Adriana Berberi deklaroi për Top Channel se ka kërkuar zyrtarisht informacion nga Banka Qendrore për procesin e auditimit.

“Kemi kërkuar së pari, së cilat kanë qenë kompanitë e auditimit, të cilat banka ka ftuar për të dhënë opinionin e tyre për pasqyrat financiare të Bankës së Shtetit shqiptar, gjatë 4 viteve të fundit. Dhe së dyti se mbi ç’procedurash Banka e Shqipërisë mbështet përzgjedhjen e kompanive, të cilat i fton për të audituar dhe për të dhënë opinionin, që është në shërbim të publikut dhe jo vetëm të bankës, për vërtetësinë dhe materialitetin, si dhe për mbajtjen e pasqyrave financiare, që kjo bankë prodhon çdo fundviti”, tha Adriana Berberi, kryetare e Bordit të Mbikqyrjes Publike.

Shqipëria zbaton standardet ndërkombëtare të auditimit, të cilat janë ndërtuar për të shmangur dhe parandaluar mashtrimet me llogaritë financiare. Në rastin e bankës, bordi do të hetojë gjithë procedurën e ndjekur nga kompania audituese, përfshirë dhe komunikimin e saj me drejtuesit e bankës.

“Në rastin e Bankës së Shqipërisë është e lidhur me faktin që, a i ka plotësuar kushtet dhe standardet që kërkohen për marrjen e emisionit. Nëse kompania ka bërë procedurat që lidhen me një nga standardet më të rëndësishme si ai 240, që merr në konsideratë faktin e mashtrimeve dhe gabimeve, ashtu siç është shumë e rëndësishme edhe zbatimi i kërkesave që bëhen nga standardi që lidhet me vlerësimin e kontrollit të brendshëm në entitet. Anashkalimi apo mosvlerësimi si duhet i komunikimit me drejtimin, sigurisht që cënon cilësinë e punës”, u shpreh Adriana Berberi.

Nëse pas hetimit, që Berberi thotë se do të jetë i shpejtë, do të konstatohen shkelje nga kompania audituese, bordi do të japë rekomandimet dhe masat përkatësë ndëshkuese. Por, përtej funksionit të saj si kryetare e bordit, zonja Berberi, një nga ekspertet më të njohura në fushën e Financës, ka dhe një opinion personal mbi atë që ka ndodhur në Bankën e Shqipërisë.

“Është një rast i paprecedent në historinë e Bankave Qendrore të vendit dhe në vlerëismin tim personal, nuk mund të trajtohet me lehtësi, edhe nga pikëpamja e përgjegjësisë që ka drejtimi, qoftë ai i bankës nga pikëpamja e nivelit ekzekutiv, qoftë edhe e bordit, për sa kohë që nuk na bëhet prezent nëse ky bord ka marrë ndonjëherë në analizë dhe ka vlerësuar se si janë zbatimi i rregulloreve, se si bëhet trajnimi i stafit, se me çfarë kriteresh përzgjidhet stafi dhe elementë të tjerë, të cilët nuk janë detyrë e Bordit të Mbikqyrjes Publike dhe nuk mund të përfshihet në këtë proces”, shtoi Adriana Berberi.

Një ditë më parë, kompania audituese, në një komunikatë për Top Channel, ka mbrojtur pozicionin e saj në këtë çështje, duke deklaruar se raportet e saj të auditit kanë qenë profesionale dhe janë pranuar pa rezerva nga drejtuesit e Bankës së Shqipërisë.

Top Channel