Manchester, kërcënim i rremë për bombë

05/08/2014 00:00

Një person është arrestuar, si i dyshuar për kërcënimin e rremë me bombë, pasi avionët ushtarakë u urdhëruan të shoqëronin një avion pasagjerësh në Aeroportin e Manchesterit.

Avioni i “Qatar Airways” u shoqërua deri në ulje nga avionë të Forcave Ajrore të Mbretërisë (RAF), pas informacionit të marrë nga piloti i tij. Policia e Manchesterit tha se e kishte trajtuar situatën si të ishte një “emergjencë totale”.

Policia e armatosur hyri edhe brenda avionit, që ishte nisur nga Doha për në Manchester, si dhe arrestoi një pasagjer në bordin e tij. I arrestuari ka deklaruar se gjithçka ishte një shaka, por policia ka bërë të ditur se ndaj tij do të merren masa dhe çështja do të jetë në hetim.

Të gjithë fluturimet në ardhje apo në nisje nga aeroporti në fjalë u pezulluan për rreth 25 minuta.

Aeroplani i përfshirë në këtë “incident” ishte një “Airbus A330-30”, i cili kishte 269 pasagjerë në bord dhe 13 anëtarë ekuipazhi nga “Qatar Airways”. Ai u shoqërua nga avionë “Typhoon” të forcave ajrore në Lincolnshire.

Operacionet në aeroport rifilluan menjëherë pasi aeroplani u ul në terminal dhe pasagjerët dolën nga ai sipas procedurave normale, tha zëdhënësi i aeroportit.

Top Channel