Kina heton për spiunazh çiftin kanadez

05/08/2014 00:00

Një çift kanadez është vendosur nën hetim nga autoritetet kineze me akuzën e vjedhjes së dokumenteve shtetërore që kanë të bëjnë me sigurinë kombëtare dhe ushtrinë.

Lajmi njoftohet nga agjencia shtetërore e lajmeve Xinhua. Sipas saj, Kevin dhe Julia Garrat, që drejtojnë një bar-kafe në krahinën Dandong në kufi me Korenë e Veriut po hetohen nga autoritetet vendore për spiunazh.

Djali i çiftit, 27 vjeçari Simeon Garrat në një deklaratë për BBC i cilësoi akuzat absurde dhe krejtësisht pa kuptim.

Në lajmin e publikuar nga Xinhua nuk përcaktohet nëse hetimet ndaj çiftit kanadez po zhvillohen në gjendje të lirë apo ata janë nën arrest.

Dandongu është një nyje tregtare që lidh Kinën me Korenë e Veriut dhe porta kryesore hyrëse dhe dalëse ndërmjet dy vendeve komuniste.

Top Channel