Guvernatori, “një gropë” piramidale

05/08/2014 00:00

Nga Aleksandër Çipa: Skandali i vjedhjes nga Thesari i rreth 7.3 milionë USD nga Banka Kombëtare e Shqipërisë, po bashkëjeton me disa skandale të tjera. Ky skandal, të cilit i njohim vetëm “majën e ajsbergut”, fatmirësisht nuk e ka shembur Bankën tonë Qendrore dhe as sistemin bankar, por ka zbuluar jo plotësisht një tjetër skandal. Bashkëjetesa e vjedhjes së monedhave nga nëpunësit e Drejtorisë së Misionit të BSH-së, me “kapjen” e vetë bankës nga kasta politike e vendit, është një histori tronditëse, e cila ende nuk ka nisur të zbardhet.

Vjedhja në Bankën e Shqipërisë vetëm sa është denoncuar. Një denoncim me paqartësi të mëdha dhe me vlerën e alibisë për disa interpretime politike të kastës së dikurshme drejtuese dhe për heshtjen e shumicës aktuale qeverisëse. Rrezikuesi më i madh i Bankës së Shqipërisë ka qenë prej disa kohësh dhe tashmë edhe më potencial, vetë guvernatori i saj, zoti Ardian Fullani. Rrezikues, pasi edhe pse thesari i Bankës vidhej përditë, ndërsa shtohej pa kufizim donacioni për teknologjinë e ruajtjes dhe survejimit të saj, ai “flinte mbi dafina”. Kjo vjedhje ka zbuluar pjesërisht shumë aspekte, të cilat kanë thellësi të frikshme: fiktivitetin dhe informalitetin e shifrave dhe statistikave reale të Bankës, papërgjegjshmërinë dhe abuzimin makut me financat dhe fondet e investimit për vetë Bankën e Shqipërisë.

BSH është institucioni që kryeson garën për shpenzime financiare rikonstruktuese dhe për masa mbrojtëse, mirëpo ka gjithkund, në të gjitha godinat dhe mjediset e tij, fytyrën e vjetrimit dhe të pandryshueshmërisë. Një institucion, që falë imponimit apo nënshtrimit prej ekzekutivit, domethënë qeverisë, bleu hotel “Dajtin” dhe e mban si një godinë të vdekur në qendër të kryeqytetit, duke e përdorur si simbol të godinave të kohës së shkuar. Llogaria për blerjen dhe për përdorimin e atyre shumave që tronditën opinionin, as nuk u bë kurrë transparente dhe as u auditua, sikundër duhej bërë prej institucioneve të tjera të këtij vendi.

Banka e Shqipërisë, me skandalin ende të pazbuluar deri në detaj dhe në thellësi të tij, po shërben si fytyrë dëshmuese për shembjen e shtetit, institucionalizmit dhe besueshmërisë shtetërore në këtë vend. Ky kontribut i zi i Bankës së Shqipërisë do të duhet kohë të bëhet i njohur dhe i ditur për qytetarët dhe gjithë taksapaguesit e këtij vendi. Kjo do të vonojë, jo për shkak të të akuzuarve, por për shkak të historisë së gjatë e komplekse të kapjes së saj prej qeverisësve dhe protagonistëve të mbuluar me akuza dhe denoncime, por të pavënë në shqetësim gjykues as edhe një çast gjatë gjithë kësaj epoke të gjullurdishme. Banka e Shqipërisë, me skandalin e fundit, po lartohet si institucioni i papërgjegjshmërisë së madhe shtetërore në këtë vend.

Vjedhja e saj është akti i ri që godet në palcë imazhin aq të rrënuar të shtetit 102-vjeçar të shqiptarëve. Një goditje sikundër e kanë komentuar orët e fundit edhe kolegë e vëzhgues të tjerë të huaj, e ngjashme me kohët më të këqija të historisë së tij. Një goditje e tillë ende nuk e ka zbardhur pasojën që i ka shkaktuar jo vetëm thesarit të Bankës Kombëtare, por sistemit bankar shqiptar në përgjithësi dhe sidomos financave të vendit. Kjo pasojë ende e pazbardhur plotësisht natyrshëm do të meritonte reagime dhe akte të menjëhershme dhe të matura, sikundër të mirëmenduara e të mbështetura fuqishëm prej disa institucioneve, si prokuroria, antikrimi ekonomik dhe vetë Parlamenti e Presidenti.

Vjedhja e thesarit të Bankës, jo vetëm ka vënë nën akuzë publike guvernatorin A. Fullani, por ka denoncuar hapur dhe po kaq hapur po merr vlerën e denoncimit të vetë politikës. Politika po del zbuluar dhe po kapet në flagrancë prej kësaj vjedhjeje. As shumica dhe as opozita politike nuk kanë një reagim zyrtar për atë që ka ngjarë e atë që presim si pasojë. Zërat e vetëm të deklarimit publik nga politika, janë deputeti Erjon Braçe i PS-së, i cili mbetet konsistent denoncues dhe “kurajozi si avokat i sheik-guvernatorit”, ish-kryeministri Berisha. Ndërkohë që krejt opozita politike e vendit, në raport me skandalin bankar, po prodhon aktin më skandaloz të qëndrimit dhe detyrës së vet publike. Alibia për ruajtjen e stabilitetit të sistemit bankar është krejt hipokrizi dhe mungesë transparence. Interesi publik kësaj here dhe përmes këtij skandali është i tradhtuar në masën dhe formën më të paskrupullt të mundshme.

Ky qëndrim dhe kjo heshtje e politikës është po aq e turpshme sa vetë qëndrimi i guvernatorit ende në detyrë, madje po aq e turpshme sa vetë dalja e tij në konferencë shtypi javën e shkuar. Kjo vjedhje e thesarit është një krim me pasoja për sigurinë, stabilitetin dhe gjithë institucionalizmin shtetëror shqiptar. Vjedhja ka përmasën e zbulimit të një piramide financiare brenda institucionit qendror të bankave të vendit. Heshtja, dhe më shumë mosmbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, mungesa e një raportimi në Parlament dhe te Presidenti i Republikës nga Këshilli Mbikëqyrës i BSH-së etj., janë të gjitha një vonesë dhe hutim institucional i pangjashëm me raste të tilla apo edhe ngjarje të përafërta në asnjë vend të botës.

Si do të zbulohet thellësia reale e kësaj vjedhjeje në BSH? Si do të rikuperohet (nëse mund të jetë e mundur diçka e tillë) shuma reale e zhdukur? Si do të reagohet për instalim të një kontrolli që kontrollon kontrolluesit dhe ruajtësit e thesarit? Si do të zbardhen lidhjet dhe pse jo ndoshta edhe netëork-u i kësaj vjedhjeje shumëvjeçare? Si do të zhduken pasojat dhe si do të ndryshojë sistemi i përgjegjësisë dhe si mund të reformohet siguria e besueshmëria ndaj stafit dhe nëpunësisë në Bankën e Shqipërisë, pas kësaj? Si do të amendohet ligji që ndalon dhe përjashton lidhjet dhe punësimet nepotike në këtë institucion dhe si mund të kemi një guvernator që të mos ketë dhe mos shfaqë asgjë prej “Fullani” në të ardhmen e Bankës së Shqipërisë?

Të gjitha këto janë kritere që nevojiten të sanksionohen në ligj apo statut të BSH, pasi të ndiqet me përpikëri dhe rigorozitet subjekti i veprimtarisë, përgjegjësisë dhe abuzimit prej skotës së abuzuesve dhe kryepersonazhit Ardian Fullani.

Të gjitha këto dilema e marrin zgjidhjen e tyre, vetëm pasi të deklarohet largimi i guvernatorit dhe të nisë rrëfimi ligjor i tij për përgjegjësinë që lidhet me atë që ka ngjarë dhe me ato që di. Të gjitha bëhen pjesë e zgjidhjes shpëtuese dhe mbrojtëse për Bankën e Shqipërisë, pasi të shpjegohen dhe rrëfehen institucionalisht skemat e bankës e guvernator-kapjes, prej kastës politike, prej udhëheqësve të kamur politikë dhe sidomos prej oligarkëve që këto ditë heshtin dhe fshihen.

Shqipëria është në orë të këqija financiare dhe në momentet e një kapjeje politike të shumëfishtë të institucioneve të saj. Nuk është një kapje nga një palë e prej një ane politike. Është një kapje prej oligarkësh politikë dhe grupesh që kanë ngritur mbretërinë kriminale të kamjes përmes vjedhjes së publikes deri edhe të thesarit të BSH. Kjo gropë financiare që zbuloi vjedhja e thesarit të saj, në ditë dhe muaj të afërt, do të zbulojë gropat humnerike morale dhe mosbesuese të shoqërisë ndaj vetë bankës dhe sistemit bankar, partive politike, institucioneve, ligjit të zhvleftësuar dhe pandëshkueshmërisë që duket se jeton orë të tjera shtesë në republikën e historisë së paskrupullt tranzicioniste.

Gazeta “Shqip”

Top Channel