Audituesi: Asnjë vërejtje nga BSH

05/08/2014 00:00

“Sipas opinionit tonë, pasqyrat financiare paraqesin në mënyre të drejtë, në të gjitha aspektet materiale, pozicionin financiar të Bankës së Shqipërisë më 31 Dhjetor 2013, rezultatin e saj financiar dhe flukset e saj të parasë”.

Ky është paragrafi i muajit Mars të këtij viti, përmes të cilit audituesi ndërkombëtar, Grant Thornton, kompania e gjashtë audituese në botë, ka çertifikuar bilancin e Bankës së Shqipërisë për vitin 2013, pra të një viti më parë.

Kompania është kontraktuar nga vetë Banka e Shqipërisë për të bërë auditimin e saj, me qëllim për të garantuar dhe çertifikuar se llogaritë financiare dhe bilanci, përfshirë rezervat dhe stokun, paraqesin të vërtetën. Por, siç tashmë dihet, më vonë rezultoi e kundërta.

Gjendja e “cash”-it në Thesarin e Bankës së Shqipërisë nuk pasqyrohet në bilanc, sepse është sekret, por ajo kontrollohet përmes një procedure të veçantë. Rezultatet mbahen në dokumente të veçanta, jashtë tabelave normale financiare. Madje, në parimet e auditimit, kontrolli i Arkës Stok ose inventarit fizik, hyn tek ato elementë, që konsiderohen si me rrezik të lartë dhe që duhet të jenë ndër prioritetet e kontrollit.

Top Channel ka mësuar në rrugë konfidenciale se kontrolli i Arkës Stok, pra atje ku ka ndodhur vjedhja, është kryer dy herë që nga viti 2010 e më pas. Sërish në asnjë rast, qoftë auditi i brendshëm i Bankës së Shqipërisë, qoftë audituesi ndërkombëtar, nuk e konstatuan vjedhjen, e cila ka vazhduar, sipas dëshmisë së Ardian Bitrajt, për katër vjet me radhë.

Top Channel kontaktoi me kompaninë Grant Thornton. Kompania nuk ka pranuar pyetje, por është përgjigjur përmes një komunikate zyrtare standard. Në deklaratë, Grant Thornton thotë se ajo është përzgjedhur në vitin 2011, përmes një tenderi publik të organizuar nga Banka e Shqipërisë, për kryerjen e auditimit të pasqyrave financiare të saj për tre vjet, dhe se nga Banka e Shqipërisë nuk ka pasur asnjë vërejtje për shërbimin dhe rezultatin.

“Theksojmë se Grant Thornton, në Shqipëri nuk ka marrë asnjë lloj komunikimi nga Këshilli Mbikqyrës i Bankës së Shqipërisë për sjellje jo profesionale ose pakujdesi. Përkundrazi, raportet vjetore të auditimit, të dorëzuara nga ‘Grant Thornton Sh.p.k.’ për pasqyrat financiare të Bankës së Shqipërisë, janë kryer në përputhje të plotë me standardet më të larta profesionale dhe kërkesat e ligjit në fuqi. Këto raporte janë pranuar plotësisht nga Banka, pa komente përsa i përket cilësisë profesionale të shërbimit të ofruar”.

Në daljen e tij të parë për mediat, menjëherë pas mbledhjes së mbyllur me guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, kryetari i Komisionit parlamentar të Ekonomisë, Erjon Braçe, tha se një nga hallkat kyç që ka dështuar në vjedhjen e bankës është audituesi ndërkombëtar.

Në komunikatën e saj dhënë Top Channel, Grant Thornton nuk jep sqarime, nëse kontrolli i inventarit fizik ka qenë pjesë e detyrave të saj, nëse e ka zhvilluar apo jo ndonjëherë këtë kontroll, dhe pse nuk u konstatua vjedhja, por sqaron se e ka kryer shërbimin e saj me profesionializëm dhe se të gjitha raportet e saj janë aprovuar pa asnjë vëretje nga Banka e Shqipërisë dhe Këshilli Mbikqyrës.

Deri tani, nga ballafaqimi i deklaratave, rezulton se është kryer auditimi i Bankës së Shqipërisë çdo vit, por për gjendjen e arkës, ku u vodhën paratë, konfirmohen vetëm dy kontrolle.

Çështja është nën hetimin e prokurorisë, e cila me gjasa do të sqarojë edhe përgjegjësinë e audituesit. Por, për shumë kritikë, vjedhja në Bankën e Shqipërisë është një rast i ngjashëm me çështjen ENRON, një nga skandalet dhe mashtrimet më të mëdha financiare.

Në atë kohë, audituesi i kompanisë energjitike, me qendër në Hjuston të Shteteve të Bashkuara, ishte Artur Andersen, një nga 4 kompanitë më të mëdha në botë, por pas përfshirjes në skandalin ENRON shkoi direkt në faliment.

Top Channel